14:35 / E Mërkurë, 05 Tetor 2022 / shkelqim osmanaj

Kurti: Rinia vazhdon të jetë në fokus të politikave tona qeveritare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se rinia vazhdon të jetë në fokus të politikave qeveritare dhe se po mbështesin projektet e organizatave rinore.

Këto komente i pari i ekzekutivit i bëri gjatë ceremonisë së certifikimit të pjesëmarrësve, të një projekti të zbatuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, mbështetur nga Ambasada e Norvegjisë, e nga i cili kanë përfituar përvojë të punës praktike në institucione100 të reja e të rinj nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Sipas komunikatës për media, bëhet e ditur se Kurti ka thënë po ashtu se si qeveri mbesin të përkushtuar për të shtuar mundësitë për aftësim e punësim.

“Rinia vazhdon të jetë në fokus të politikave tona qeveritare e në angazhimet tona publike, sepse zhvillimi ynë i ardhshëm varet shumë prej asaj se si e ndihmojmë dhe e trajtojmë rininë tonë, duke mos harruar që mosha mesatare në Republikën e Kosovës është vetëm 31 vjeç”, tha ai.

Bëhet e ditur se në këtë ceremoni u theksua se qeveria dhe institucionet janë të fokusuara për të zhvilluar plane e programe më të mira, për të ofruar mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për të rinjtë e të rejat, për të tashmen por edhe për të ardhmen e tyre, e të vendit tonë.