Kurti: Rruga Prizren–Tetovë drejt finalizimit, tuneli 6.4km do të lidhë dy qytetet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot ka pritur në kryeministri atë që quhet grupi punues ndërshtetëror për çështjen e ndërtimit të projektit të rrugës Prizren-Tetovë.
Kurti ka treguar se ndërkohë që në Kosovë po vazhdojnë punimet, në Republikën e Maqedonisë së Veriut ato ende s’kanë nisur.
“Rruga Prizren-Tetovë: anës sonë të malit Korf (Vërtop) punimet po vazhdojnë, anës tjetër të malit nisja e tyre vetëm sa po afrohet. Grupi Punues ndërshtetëror dje mbajti takimin e radhës për të diskutuar e trajtuar pikat e detyrës projektuese, dokument ky thelbësor për realizimin e këtij projekti strategjik për Republikën tonë dhe Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Kurti, pas takimit me zëvendësministren e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri.
“113 kilometra është e gjatë rruga aktuale nga Prizreni në Tetovë, nëpër Prevallë e Glloboçicë. Me rrugën e re, Prizreni dhe Tetova do të jenë më pak se 50 kilometra afër njëra tjetrës. Mali që i ndan, do të ketë portën që i bashkon – pra tunelin me gjatësi 6.4 kilometra. Kështu udhëtimi bëhet më i lehtë, më i shpejtë dhe më i shpeshtë, lidhjet forcohen, shkëmbimet rriten e bashkëpunimi shtohet”, ka shkruar Kurti.
Gjatë fushatë së fundit për zgjedhjet lokale të vitit 2021, Kurti gjatë një paraqitje me ish-kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka, kishte thënë se ky projekt do të përfundonte brenda dy ose tri vitesh dhe so do të bëhej e mundur shkuarja në Tetovë “ashtu veç për kafe”.