75 Mall Live Search
23:22 / E Shtunë, 06 Shtator 2025 / BA

Kurti: Sakrifica e policëve që ranë në detyrë është porosia jonë

Policia e Kosovës shënoi 26-vjetorin e themelimit të saj, në një ceremoni ku ishin të pranishëm, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, ambasadorë dhe përfaqësues të korit diplomatik, përfaqësues dhe drejtues të institucioneve tjera të sigurisë, e familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës. 

Në këtë 26-vjetor, Kurti, krahas urimit shprehu mirënjohjen më të thellë për policinë.

“Do të vazhdojmë t’ju mbështesim me pajisje moderne, kushte më të mira pune dhe mbrojtje institucionale, sepse Policia e Kosovës është garancia jonë për rend e ligj, e paqe, për siguri dhe për liri” u shpreh Kurti.

Kryeministri në detyrë kujtoi me nderim heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun, heroin e Kosovës, Enver Zymerin dhe të gjithë policët që ranë në krye të detyrës.

“Sakrifica e tyre është porosia jonë: çdo ditë të ndërtojmë një Kosovë më të sigurt, më të drejtë dhe më të fortë”, tha ai.