11:24 / E Enjte, 18 Prill 2024 / MSH

Kurti: Serbia është burim i kërcënimit të paqes dhe sigurisë, dje ka shkelur një grumbull marrëveshjesh

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me veprimin e djeshëm, Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjesh të arritura ndër vite në Bruksel. Këtë shtet, Kurti e konsideron si burim të kërcënimit të paqes dhe sigurisë në rajon.

Kreu i ekzekutivit, ka thënë se Serbia është hakmarrë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e miratoi rekomandimin e raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

“Rezultati i cili u morr të martën në Asamblenë Parlamentare në KiE ishte një sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën për dy arsye kryesore: e para e mbylli etapën me të rëndësishme për interesim, e dyta ne arritëm 82 për qind të votave. Për këtë edhe një herë nga kjo sall dua ta falënderoj ministren Donika Gërvalla. Nga anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë përfitues do të jenë qytetarët.

Dje Serbia u hakmor, ndaloi në kufi qytetarë tanë që Serbinë e shfrytëzonin si transit. Në mesin e ndaluarve dhe të arrestuarave ishe edhe zëvendësdrejtori serb në Kosovë. Dejetori Jakoviq është dërguar në Rashkë”, ka thënë Kurti në fjalën e tij para kabinetit qeveritar.

“Dje në ndalim kanë qenë gjithsej 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovë, përfshirë serb edhe shqiptar, 5 janë liruar dhe 5 janë në mbajtje. Veprimi i Serbisë është akt i ulët i hakmarrjes për anëtarësimin e Kosovës. Me veprimin e djeshëm, Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjesh. Serbia është burimi i kërcënimit të paqes e sigurisë në rajon. Ajo ka rreshtim me federatën ruse të cilën nuk e ka sanksionuar. Ndalimi u bë dje në përkujtimin e masakrave në Poklek e Qikatovë”, u shpreh Kurti.