75 Mall Live Search
18:39 / E Enjte, 19 Maj 2022 / AR

Kurti: Serbia nuk i pranon krimet në Kosovë, refuzon ta njohë pavarësinë tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për dialogun me Serbinë. Kurti thotë se është i gatshëm për njohje reciproke, por që Serbia refuzon ta bëjë këtë.

Ai tha se Serbia duhet të ndryshojë dhe të pranjë krimet që ka kryer në Kosovë, raporton Indeksonline.

“Nuk ka hapa pas, mirëpo Serbia ka ngelur pas meqenëse ajo nuk i pranon krimet që ka kryer në Kosovë dhe gjithashtu refuzon që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Presidenti amerikan Biden e ka formuluar shumë mirë çështjen, ka thënë që duhet të kemi normalizim të plotë përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme e cila në qendër të saj ka njohjen reciproke. Unë jamë i gatshëm për njohje reciproke, Serbia nuk është dhe nuk ka kurrëfarë faji asnjë instancë e shtetit të pavarur të Kosovës për faktin që nuk e kemi suksesin e pretenduar në dialogun me Serbinë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, qenia e saj nuk është problematike, raportin me Serbinë nuk e kemi normal, duam ta normalizojmë, mirëpo për këtë qëllim është Serbia ajo e cila duhet të ndryshojë”.

“Në të kaluarën kemi pasur gati një dekadë për dialog në të cilin Kosova bënte konsesione në pritje të njohjes nga Serbia që vije në fund dhe ai fundi nuk ndodhi. Tash kemi një zhvendosje të çështjes, nga le të themi procesi i stërzgjatur në kohë tek hapësira e një marrëveshje në të cilën në qendër është njohja reciproke. Unë nuk them që njohja reciproke është e vetmja gjë në marrëveshje, mirëpo është në qendër të saj. Andaj derisa Serbia thotë kurrë nuk do tiu njoh, dhe presidenti i saj thotë që Reçaku nuk është një ngjarje e vërtetë, atëherë këtu ndodhet problemi që nuk e kemi ende një marrëveshje të tillë”, tha Kurti gjatë një interviste në VOA./Indeksonline/