75 Mall Live Search
22:02 / E Hënë, 25 Tetor 2021 / AR

Kurti: Serbia ta tregojë forcën në ringun e boksit, jo në kufi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka reaguar pas ndalesës që Serbia i ka bërë sportistëve të Kosovës në kufi.

Ai tha se Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ring e jo në kufi, raporton Indeksonline.

Kurti po ashtu kërkoi nga komuniteti ndërkombëtarë që të reagojë për atë që ka ndodhur.

“Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ringun e boksit jo në kufi. Vendimi i tyre për të mos lejuar hyrjen e sportistëve tanë për Kampionatin Botëror të Boksit 2021 është një shkelje e normave ndërkombëtare të sportit. I bëj thirrje BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar për të dënuar këtë shkelje dhe veprim diskriminues”, shkroi Kurti në Twitter.

Kujtojmë që boksierët shqiptarë ishin nisur për në Beograd ku do të merrnin pjesë në Kampionatin Botëror të boksit amatorë, të cilët nuk janë lejuar nga pala serbe të kalojnë kufirin.

Lajmin është bërë publik nga vetë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit në Kosovë, Latif Demolli i cili është shprehur:

‘’Rreth orës një jemi nisur për në Beograd. Jemi ndalë në kufi në Konçul nga policia serbe dhe nuk na lejuan të dalim andej, për shkak të shenjave të Kosovës në tutat sportive dhe në fanellat tona. Në to shkruan KOS, ndërsa na thanë se duhet t’i lëmë në kufi dhe mund të vazhdojmë. Por siç jemi dakorduar me AIBA-n, që marrim pjesë vetëm me shenja të Kosovës, ne nuk pranuam. Tani jam në kontakt me zyrën e AIBA-s dhe po presim përgjigje’’.

Nisur nga kjo situatë edhe delegacioni Shqiptarë nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit që zhvillohet në Beograd, duke i dalë në krah kështu Kosovës./Indeksonline/