Kurti: S’është kollaj gjetja e gjuhës së përbashkët me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një interviste për DW është shprehur se nuk është kollaj të gjendet një gjuhë e përbashkët me presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti tregon se kjo nuk është kollaj, pasi që për dallim nga Serbia, Kosova është vend demokratik, raporton Indeksonline.
“Prania dhe pjesëmarrja ime në takim dhe aktivitetet këtu në Berlin, natyrisht nuk ishin vetëm për takimin me kancelarin Olaf Scholz, por edhe me ministren e Jashtme, zonjën Annalena Baerbock, por edhe një takim tjetër trepalësh me Presidentin e Serbisë dhe ndërmjetësin e BE-së, zotin Lajçak. Unë besoj që dialogu duhet të jetë parimor, i balancuar, simetrik, me rezultate që dëshmohen se janë të tilla për t’i sjellë përfitime qytetarëve pa dallim, por gjithashtu edhe rezultatet, të cilat i kanë brenda vlerat e BE-së. Demokratizimin, sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, ballafaqimin me të kaluarën, reciprocitetin, e kështu me radhë.
Nuk është kollaj, për shkak se për dallim nga Serbia, Kosova është vend demokratik. Ka demokraci cilësore. Në vendin tonë opozita mund t’i fitojë zgjedhjet. Dhe kemi rritjen më të madhe ekonomike në rajon. Kosova është dëshmi që zhvillimi ekonomik dhe demokracia institucionale e shoqërore shkojnë bashkë me njëra-tjetrën. Unë uroj që në Serbi të ndryshojë qasja, të mos jenë të rreshtuar sikurse deri më tani me Kremlinin zyrtar, që bëri agresion ushtarak të pajustifikueshëm dhe invazion të paprovokuar në Ukrainë dhe uroj që edhe Serbia t’ia vendosë sanksionet Rusisë dhe të distancohet në të tashmen nga Putini e për të kaluarën e saj të distancohet nga Millosheviçi“, thotë ai./Indeksonline/