Kurti: Shumëgjuhësia na ndihmon të lëvizim nga toleranca në solidaritet

Në Ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim grupin punues për formimin e Njësisë për harmonizim dhe përkthim në Qeverinë e Kosovës.
Lidhur me këtë, Kurti ka thënë se shumëgjuhësia na ndihmon të lëvizim nga toleranca e thjeshtë në solidaritet.
“Shumëgjuhësia është e rëndësishme për multikulturalizmin – na ndihmon të lëvizim nga toleranca e thjeshtë në solidaritet. Njësia jonë e re e Përkthimit dhe Harmonizimit siguron përdorimin nga qeveria të të gjitha gjuhëve zyrtare. Përkthimi cilësor kërkon aftësi të larta në çdo gjuhë. Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare!” shkroi Kurti në Twitter.
Në këtë takim, ku morën pjesë edhe Komisioneri i Gjuhëve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Slavisa Mladenović, si dhe Elizabeth Katherine Gowing, këshilltare e Kryeministrit për Çështjet e Komuniteteve, u ritheksua përkushtimi dhe përpjekjet e Qeverisë për të siguruar mbrojtjen e së drejtës për të përdorur gjuhët zyrtare për të gjithë qytetarët e Kosovës, që të punojnë dhe të arrijnë rezultate bashkërisht.