18:10 / E Premte, 29 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Kurti: S’ka babë në Vetëvendosje

Ish lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, beson se me diskutime brenda organeve të partisë do t’i tejkalojnë të gjitha mospajtimet që janë shfaqur kohëve të fundit.

Kurti pas lirimit nga paraburgimi, në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, nuk beson se Vetëvendosje do të ndahet, pavarësisht kushteve që disa zyrtarë të VV-së i kanë vënë për të mos kandiduar për kryetar të VV-së.

 

“Unë jam i bindur se demokracia e brendshme në VV, në organet e saj është mëse e mjaftueshme që ne me durim të zhvillojmë diskutimet për të gjitha temat dhe asisoj ta shtjellojmë mospajtimin e brendshme dhe ta tejkalojmë atë edhe për të mirën e VV-së, edhe për të mirën e vendit…Jo, unë besoj që VV, është lëvizja dhe subjekti më demokratik në Kosovë, në të cilin ne besojmë jo vetëm për shkak të programit dhe frymës por për shkak të demokracisë së brendshme në organet e saj. Pra, dialog, diskutim, demokraci do të jetë mëse e mjaftueshme për të zgjidhur të gjitha mospajtimet”, tha Kurti.

Kurti flet edhe për kushtin e vënë nga Dardan Molliqaj dhe të tjerët që ai të mos kandidojë për kryetar të VV-së, për të cilin thotë se nuk është kusht, meqë statuti i VV-së, e përcakton qartë.

Ndërsa, rreth parullave të shkruara në muret e objektit të VV-së, “S’ka babë, ka ide”, Kurti thotë se në Vetëvendosje nuk ka pasur kurrë babë.

“Gjithçka do të diskutojmë brenda organeve të VV-së, besoni për mua çështjet kryesore janë koncepti, programi dhe ajo që është tashmë e domosdoshme që pranohet nga të gjithë reforma organizative në VV. Unë nuk mendoj që tashmë duhet të merremi me gjerat që edhe pak orë i takojnë vitit të kaluar…Nuk ka babë në Lëvizjen Vetëvendosje, s’ka pasur kurrë babë në VV”, u shpreh Kurti.

Ndërsa, i pyetur nëse ka marrë urime nga Dardan Molliqaj dhe Visar Ymeri për lirimin e tij nga burgu, Kurti tha se ende nuk e ka hapur telefonin, meqë nga paraburgimi ka dal në zyrat e partisë.

Deputeti i VV-së, ka folur edhe për lirimin e tij nga paraburgimi dhe procesin gjyqësor i cili pritet të përfundoj me 3 janar 2018, ku do të shpallet aktgjykimi.

 

“Meqenëse procesi gjyqësor që kemi qenë të përfshirë tash e më shumë së dy vjet, ka qenë i padrejtë, politik, i ngarkuar një proces në të cilin ne jemi persekutuar me arrestime, arrest shtëpiak, paraburgime dhe e gjithë kjo për të na thyer në bindjet dhe orientimin tonë. Me e rëndësishmja është që edhe sot e kësaj dite mund të themi të gëzuar që “Zajednica” nuk kalon, që demarkacioni nuk kalon, dhe gjithçka tjetër është e dorës së dytë. Por ndaj VV-së ka edhe shumë padrejtësi të tjera, e me siguri ajo më e madhja ajo e mbytjes në burg të Astrit Deharit dhe drejtësi për astritin është shndërruar në parullën kryesore jo vetëm për lëvizen tonë, paralelisht me tjetrën liri për aktivistët meqenëse padrejtësisht Frashëri, Atdheu, Egzoni dhe Adea u dënuan pa prova, pa fakte, pa argumente dhe Frashëri, Atdheu e Egzoni po mbahen në burgun e Dubravës”, shtoi Kurti.