Kurti takohet me administratorin e UNDP-së
Takimi i radhës i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Mynih, u mbajt me ish-kryeministrin e Belgjikës, Alexander De Croo, i cili tashmë mban rolin e administratorit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Kryeministri theksoi progresin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës përgjatë këtyre 5 viteve, të dëshmuar edhe përmes renditjeve pozitive në indekse ndërkombëtare.
Shprehu mirënjohjen ndaj UNDP-së për përkrahjen përmes projekteve të ndryshme, mbështetjen për zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunimin e frytshëm.
Përgjatë bisedës u diskutuan edhe mundësitë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit.
Kryeministri ngriti po ashtu rëndësinë në qasjen e Kosovës në Fondet Vertikale të Klimës dhe Mjedisit, sikurse në Fondin Global të Mjedisit (GEF) dhe Fondin e Klimës së Gjelbër (GCF), qasje që mundëson avancimin e agjendës së tranzicionit të gjelbër.

