75 Mall Live Search
19:25 / E Hënë, 08 Dhjetor 2025 / F.R

Kurti takohet me Alban Skënderajn, e përgëzon për koncertet

Alban Skënderaj sapo ka mbyllur një maratonë të vërtetë në Prishtinë, por duket se jehona e koncerteve të tij ka mbërritur deri në zyrat më të larta të shtetit. Kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka pritur sot në një takim të veçantë artistin, duke mos i kursyer lëvdatat publike.

Në një postim që po bën xhiron e rrjetit, Kryeministri ka zbuluar se kjo nuk ishte thjesht një shtrëngim duarsh protokollare, por “biseda e parë e gjatë” mes të dyve. Dhe çfarë diskutuan? Jo vetëm muzikë.

Kurti tregon se me Albanin kanë folur për tema thelbësore si energjia, liria, progresi dhe “kureshtja që gëzon rinia shqiptare sot”.

Një vëmendje të veçantë në reagimin e tij mori edhe raporti mes dy shteteve tona. “Kosova dhe Shqipëria përpara kanë vetëm zhvillimin e pashkëputshëm, të cilit i prin edhe arti e kultura e artistëve tanë të shumtë,” – shkruan Kurti, duke e vendosur artin e Skënderajt si një urë lidhëse mes shqiptarëve.

Kryeministri u ndal edhe te performanca maratonë e Albanit në sallën “1 Tetori”. Ai theksoi faktin impresionues se artisti ka performuar për katër netë me radhë, me koncerte që kanë zgjatur mbi dy orë, duke emocionuar mijëra dashamirës.

Në fund, Kurti e mbylli reagimin me një urim të përzemërt: “Përgëzime Albanit për koncertet e tij të jashtëzakonshme. I uroj edhe shumë dekada të tjera karrierë të suksesshme.”

Duket se Albani nuk ka fituar vetëm zemrat e publikut, por edhe respektin maksimal të kreut të qeverisë.