75 Mall Live Search
11:38 / E Premte, 11 Nëntor 2022 / k.v

Kurti takohet me Borrellin në Paris

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në Paris. Qendra televizive e informacionit e BE-së, Europe By Satellite, ka publikuar pamje nga ky takim të premten në mëngjes.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kishte paralajmëruar se Borrelli do të ketë takim gjatë së premtes edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky takim pritet të zhvillohet në orën 18:00, sipas Europe By Satellite.

Stano tha se këto takime janë “tentime për të ndihmuar në zbutjen e përshkallëzimit të situatës, qetësimin e tensioneve aktuale dhe avancimin e dialogut të Brukselit”.

Kurti dhe Vuçiqi ndodhen në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes. Atje janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 10 nëntor se nuk beson se do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Paris.

Gjatë së enjtes, Kurti dhe Osmani u takuan me kryeministrin francez, Emmanuel Macron. Në komunikatën e përbashkët të lëshuar nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, u tha se ishte diskutuar edhe për planin franko-gjerman.

“Propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme [në dialogun Kosovë Serbi]”, thuhej në komunikatë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e kishte konfirmuar më 3 nëntor ekzistimin e planit franko-gjerman, që raportohet se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti, në një konferencë për media më 7 nëntor, tha se Vuçiqi po i përdorte pjesëtarët e strukturave ilegale në veri për destabilizim pasi kishte refuzuar planin franko-gjerman.

Kriza në veri të Kosovës, ku pjesëtarë të komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga institucionet kosovare, pasoi nisjen e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, më 1 nëntor. Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës.