18:31 / E Enjte, 06 Tetor 2022 / MSH

Kurti takohet me drejtues të kompanive “Selise” dhe “Capita”

Së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Mjedisit, Planifikimin Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi drejtues të kompanive “Selise” dhe asaj “Capita”.

“Selise” është kompani ndërkombëtare në fushën e Teknologjisë dhe Informacionit me 500 punonjës në mbarë botën. Kjo kompani këtë vit filloi operimin në Kosovë dhe tani po planifikon të rrisë numrin e të punësuarve për vitet në vijim. Në maj, Kryeministri Kurti dhe Kurt Weber, drejtues i bordit të kompanisë “Selise”, kishin nënshkruar në Cyrih një Memorandum të Bashkëpunimit për ngritjen e kapaciteteve njerëzore në sektorin e IT-së.

Weber ishte po ashtu sot në takim, së bashku me drejtorin ekzekutiv, Julian Weber dhe drejtorin e operimit, Bobby Leu.

Kurse “CAPITA”, që në takimin e sotëm përfaqësohej nga dy drejtorë menaxhues, Christian Ecknauer dhe Hanspeter Wyss, është një nga ofruesit kryesorë evropianë të shërbimeve të jashtme, në fushën e transformimit digjital.

Në takim u bisedua për mundësinë e organizimit të një forumi ekonomik në Zvicër para Forumit Ekonomik Botëror, i cili mbahet në Davos në janar të vitit 2023. Po ashtu, u diskutua edhe për ngritjen e kapaciteteve në Kosovë përmes Partneriteteve Publiko-Private dhe trajnimeve të vazhdueshme nga “Selise”.

Gjatë vizitës njëditore në Kosovë, përfaqësuesit e dy kompanive vizituan Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren. Ata u shprehën shumë të kënaqur për zhvillimin që është duke bërë parku.

Kryeministri Kurti i falënderoi dy kompanitë dhe drejtuesit e tyre, për vizitën në Kosovë dhe për interesimin e tyre. Ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret investimet e huaja në vend dhe se angazhohet vazhdimisht për ofrimin e një klime sa më të përshtatshme për investitorët e jashtëm.​