Kurti takohet me dy anëtarët e Presidencës së Bosnjës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me dy anëtarë të Presidencës trepalëshe të Bosnjë e Hercegovinës.
Gjatë vizitës në Sarajevë, zhvilloi takime të ndara në Presidencën e Bosnjës me anëtarin kroat, Zhelko Komshiq dhe atë boshnjak, Denis Beqiroviq.
“Falënderoj kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për vendimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës. Vlerësojmë një hap të tillë të jashtëzakonshëm të njëanshëm dhe, për këtë arsye, të pazakontë. Ky veprim sigurisht do të kontribuojë në lidhjen më të mirë të qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe në rritjen e shkëmbimeve të ndërsjella tregtare”, ka shkruar Komshiq në Facebook pas takimit me Kurtin.
Kurti nisi vizitën në Sarajevë, më 5 dhjetor dhe gjatë qëndrimit në Bosnje do të mbajë edhe një fjalim në një konferencë për raportet rajonale që organizohet nga asociacioni i intelektualëve të pavarur “Krug ’99”.
Kryeministri kosovar nuk zhvilloi takim me anëtaren serbe të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zhelja Cijanoviq.
Komshiq tha se kritikat e pretenduara lidhur me vizitën e Kurtit dhe takimet që ai ka në Bosnjë e Hercegovinë, të cilat vijnë nga entiteti i Republikës Srpska (RS), si edhe nga rajoni, “më kujtojnë se RS-ja nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe se RS-ja nuk ka kompetenca për lëshimin e vizave për hyrjen në Bosnjë e Hercegovinë”.
Ai shtoi se kritikat që vijnë nga vendet e rajonit i konsiderojmë si një provë tjetër të qartë të përpjekjeve për të mohuar sovranitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe si presion ndaj organeve dhe institucioneve sovrane të vendit tonë në udhëheqjen e politikës së jashtme.
“Po ashtu, anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës sigurisht nuk do të pyesin as [udhëheqësin e serbëve në Bosnjë, Millorad] Dodikun, as këdo tjetër, se me kë do të takohemi dhe për çfarë do të diskutojmë”./REL/