75 Mall Live Search
16:44 / E Premte, 31 Maj 2024 / FR

Kurti takohet me Erdoganin: Diskutuam për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe të mbrojtjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, të premten në Ankara.

Ndër të tjera Kurti, me anë të një postimi në rrjetin e tij social në platformën X, ka thënë se me Erdoganin ka diskutuar për mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik dhe në fushën e mbrojtjes.

“Diskutuam marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e reja për bashkëpunim ekonomik dhe të mbrojtjes. Të hënën do të mbahet forumi i parë ekonomik për bizneset nga Kosova dhe Turqia duke ofruar një shans për thellimin e lidhjeve dhe nxitjen e investimeve”, shkroi Kurti.

“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe zhvillimit të tij, sikurse shprehu edhe falënderimin për përkrahjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për votën e deputetëve turq në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill të këtij viti dhe qëndrimin e Qeverisë së Turqisë në Komitetin e Ministrave të kësaj organizate”, thuhet në njoftimin në ZKM.

Vizita e Kurtit në Turqi është bërë në kuadër të Forumit Ekonomik të Bizneseve në mes Kosovës dhe Turqisë.