22:08 / E Martë, 25 Korrik 2023 / MSH

Kurti takohet me përfituesit e Programit “Praktikë në Qeveri”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, organizuan një pritje dhe zhvilluan një takim njoftues me të rinj dhe të reja, përfitues të Programit “Praktikë në Qeveri”, që u mbajt në ballkonin e Qeverisë.

Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se ky program ka bërë bashkë të rejat dhe të rinjtë që kanë dëshiruar të kontribuojnë në sektorin publik, në shtetin demokratik të Kosovës dhe paraqet një rrugëtim edhe për qeverisjen tonë, por njëkohësisht edhe për juve në profesionin dhe karrierat e juaja, në kontributin dhe avancimin e juaj në kuadër të administratës publike të Republikës së Kosovës.

Kryeministri tha se beson që edhe të mirat vijnë nga puna, por gjithashtu edhe zhvillimi personal e profesional vjen nga puna dhe se këtë punë dëshirojmë që ta lidhim me zhvillimin e shtetit tonë, por njëkohësisht edhe me profesionet tuaja.

Ai i falënderoi shumë të gjithë për angazhimin e tyre, dhe uroi që ky program të jetë një përvojë e çmueshme për ta, nga e cila edhe merrni shumëçka përveçse i jepni shoqërisë edhe shtetit, dhe që pse jo një ditë edhe institucioneve shtetërore me rangje gjithnjë e më të avancuara të pozitave dhe funksioneve që mund t’i bartin në të ardhmen.

Janë afër 250 të rinj të angazhuar në institucione të ndryshme qendrore, të cilët ndjekin praktikë me pagesë për gashtë muaj, në kuadër të programit “Praktikë në Qeveri”.