75 Mall Live Search
13:53 / E Enjte, 10 Shtator 2020 / indeksADMonline

Kurti takohet me Szunyogun: Kosovës i nevojitet vizion dhe lidership më i fortë i BE-së

Shefi i sapoemëruar i Zyrës së Bashkimit Evropian, ambasadori Tomáš Szunyog u prit në një takim nga kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ambasadori Szunyog në këtë takim njoftoi Kurtin mbi synimet e tij gjatë mandatit katërvjeçar, e të cilat kanë në qendër të vëmendjes zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.

Ndërkaq ai tha se e ardhmja e vetme për Kosovën është në BE dhe se kjo duhet të konsiderohet si përfundim i pashmangshëm e jo si alternativë. Ai paralajmëroi planin e ri të investime të BE-së në Kosovë, duke filluar nga fillimi i tetorit të këtij viti.

Nga ana tjetër, kryetari Kurti e njoftoi se për të dhe Vetëvendosjen zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, bashkë me shtetin e së drejtës që lufton korrupsionin, përbëjnë boshtin e platformës qeverisëse, e cila është synuar gjatë Qeverisë së Kurtit dhe do të jetësohet gjatë Qeverisë se Kurtit 2.

“Ekonomia dhe zhvillimi i saj janë tejet të rëndësishme dhe duhet të trajtohen ashtu, pra si prioritet kryesor. Ajo është diga që parandalon migrimin e mëtutjeshëm të qytetarëve tanë jashtë Kosovës dhe në të njëjtën kohë është ura që mundëson rikthimin e trurit në Kosovë. Sa i përket relacionit të Kosovës me BE-në, Kurti shprehu përkushtimin për integrim evropian dhe reforma të gjithanshme. Megjithatë, për Kosovën sikurse dhe për pesë shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor nevojitet një vizion dhe lidership më i fortë i BE-së në këto kohë dinamike e të krizave të ndryshme”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.