11:42 / E Premte, 09 Qershor 2023 / S Z

Kurti takon Abbott: I domosdoshëm sundimi i Ligjit në veri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas telefonatës me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, mbrëmë takoi ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.

Në njoftimin për media thuhet se kryeministri Kurti, ka theksuar se vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës, është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen.

“Së bashku diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks situatën e fundit në veri të vendit, rëndësinë për deeskalim të plotë dhe rrugën përpara. Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti, theksoi se sundimi i ligjit duhet të jetë parimi bazë për të ecur përpara. Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”, thuhet në njoftimin për media..

Kryeministri falënderoi ambasadorin Abbott për angazhimin dhe bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm në thellim dhe fuqizim të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.