Kurti takon Michael Reiffenstuelin, flet për përformancën pozitive ekonomike në gjashtëmujorin e parë të këtij viti

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi mbrëmë Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, bashkë me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, në një darkë të shtruar nga ambasadori në rezidencën e tij.
Në njoftimin për media thuhet se gjatë takimit kanën diskutuar për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, sidomos në fushën e ekonomisë dhe investimeve të huaja, situatën në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe integrimet evropiane, si dhe për zhvillimet e fundit në vend dhe aktualitetin politik.
“Kryeministri veçoi performancën ekonomike pozitive të vendit në gjashtëmujorin e parë të vitit, rezultatet e politikave të punësimit dhe mbarëvajtjen e punës së institucioneve qeveritare dhe të shtetit, përfshirë të drejtat e pakicave dhe mirëqenien e tyre. Ndër të tjera, ai shprehu shqetësimin e tij për rreziqet që paraqesin dhe vështirësitë që shkaktojnë fushatat dezinformuese dhe lajmet e rrejshme në shtrembërimin e të vërtetave dhe krijimin e narrativave të dëmshme për shoqëritë dhe institucionet demokratike”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti falënderoi z. Reiffenstuel për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit gjerman ndaj Republikës së Kosovës.