75 Mall Live Search
21:33 / E Mërkurë, 04 Tetor 2023 / S Z

Kurti takon ministrin gjerman Ozdemir, e njofton për agresionin në Banjskë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në ndërtesën e qeverisë për një takim dypalësh ministrin gjerman të Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Ozdemir, i cili shoqërohej prej stafit të tij dhe nga ambasadori gjerman ne Republikës e Kosovës, Jorn Rohde.

Kurti u shpreh falënderues për vizitën e ministrit Ozdemir dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë për Kosovën.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Gjermaninë, veçanërisht e falënderoi për rolin e rëndësishëm të ushtrisë gjermane Bundesëehr në KFOR, raporton Klan Kosova.

Gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe diplomatike dhe ekonomike, si dhe ndikimin pozitiv të diasporës së Kosovës në Gjermani.

“Ministri gjerman Ozdemir, u shpreh i lumtur që më në fund po e viziton Prishtinën dhe falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrin Peci për mikpritjen, bashkëpunimin dhe për raportet e shkëlqyeshme bilaterale. E përgëzoi qeverinë për reformat e ndërmarra, me theks ato në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural e përmes së cilave Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë.

Gjatë takimit, kryeministri e njoftoi ministrin Ozdemir edhe për zhvillimet politike në vend, sulmin terrorist të 24 shtatorit, hetimet rreth tij, faktet që dëshmojnë për lidhjen dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë dhe për punën profesionale të Policisë së Kosovës.

Për punën profesionale të Policisë u shpreh mirënjohës edhe ministri gjerman, i cili gjithashtu shprehu ngushëllime për policin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku, në ditën e sulmit terrorist.

Ministri i Ushqimit dhe Bujqësisë  të Gjermanisë, Cem Ozdemir sot gjatë gjithë ditës ka qëndruar për vizitë zyrtare në vend.

Paraprakisht kishte zhvilluar edhe një takim me homologun e tij, ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cili bashkë me zëvendësministrin Imri Demelezi dhe Shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi ishin po ashtu të pranishëm në takimin e mbajtur në kryeministri.