75 Mall Live Search
20:15 / E Premte, 22 Mars 2024 / MSH

Kurti takon rrjetin socialdemokrat, Miqtë e Ballkanit Perëndimor

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua sot me rrjetin socialdemokrat Miqtë e Ballkanit Perëndimor (Friends of Western Balkans), një rrjet i përbërë nga fondacione, eurodeputetë dhe deputetë të vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian, por edhe nga partnerë të partive dhe shoqatave të rajonit.

Rrjeti u mblodh sot në Prishtinë ku biseduan për çështje të ndryshme, përfshirë zhvillimet në rajon apo edhe zgjedhjet evropiane të 9 qershorit.

Kryeministri theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe rrjedhimisht të rajonit dhe të procesit të zgjerimit. Sot tre vite pas fillimit të Qeverisë së tij, kryeministri paraqiti arritjet e saj sociale, ekonomike dhe demokratike, dhe gjithashtu sfidat që mbeten në rrugën e Kosovës dhe të rajonit drejt integrimit evropian.

Kryeministri shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të socialdemokratëve gjatë këtyre tre viteve, veçanërisht në Parlamentin Evropian, si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe pranë institucioneve të Bashkimit Evropian, për të fituar liberalizimin e vizave, ndërsa Kosova kërkon sot dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.