75 Mall Live Search
21:08 / E Shtunë, 19 Shkurt 2022 / SH F

Kurti takon udhëheqësen e opozitës bjelloruse, e lavdëron për guximin dhe vendosmërinë

Në margjinat e Konferencës për Siguri në Mynih, kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti, ka takuar udhëheqësen e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsihanouskaya, të cilën e ka përgëzuar për guximin dhe vendosmërinë saj për në Bjellorusi demokratike.

Kryeministri Kurti, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se kishte kënaqësinë ta takonte kryeopozitaren bjelloruse.

“Ishte kënaqësi të takoja Tsihanouskaya-n. Qëndrueshmëria, guximi dhe vendosmëria e saj për një Bjellorusi demokratike ka frymëzuar shumë njerëz dhe ka mbledhur mbështetjen e demokracive botërore”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa, Tsihanouskaya tha se e ka falënderuar Kosovën që i është bashkuar sanksioneve ndaj regjimit të Bjellorusisë.

“Takimi ynë i parë ballë për ballë, me ç’rast e ndjeva një lidhje me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Ashtu sikurse bashkëshorti im Siarhei, ai u dënua me vite burg për mbrojtjen e demokracisë, 20 vjet më parë. E falënderova Kosovën që iu bashkua sanksioneve – bjellorusët e vlerësojnë një solidaritet të tillë”, ka shkruar Tsihanouskaya.