75 Mall Live Search
14:49 / E Enjte, 30 Shtator 2021 / AR

Kurti: Të zhdukurit janë çështja e parë në dialogun me Serbinë

Tashmë kanë arritur në Kosovë, arkivolet e viktimave të masakrës së Rezallës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se të zhdukurit në luftë janë çështja e parë në dialogun me Serbinë, raporton Indeksonline.

Tutje ai u shpreh se masakra e Rezallës është një nga dëshmitë e gjenocidit serb në Kosovë.

“Mungesa e përgjigjes për vendndodhjen e më të dashurve tuaj rëndon gjatë në jetën tuaj. 8215 ditë. Askush nuk mund ta dijë, kuptojë peshën e rëndë të mungesës mbi shpirtin tuaj. E madhe është dhimbja e kësaj dite. E dhimbshme është dita për mijëra familjarë të tjerë ku ankthi i pritjes nuk ka fund. Fëmijë që janë rritur duke pritur një përgjigje.

Të dashur familjarë, nuk ka fjalë që plotëson boshllëkun e familjarëve tuaj. Fjalët tona duhet përsëritur me zë të lartë që të dëgjohemi më shume se ata që mohojnë gjenocidin. Masakra e Rezallës është një nga dëshmitë e gjenocidit serb. Sot pas 22 vjetësh pritje na u kthyen trupat e këtyre qytetarëve që ishin varrosur në Kizhevak të Serbisë.

Kjo këtu sot është e vërteta që është përpjekur të mbulohet me varreza për dy dekada. Nuk mund të ndalemi derisa t’ua kthejmë familjarët dhe të sjellim drejtësi për ta. Të zhdukurit janë çështja e parë në dialogun me Serbinë. Qeveria është duke ndërmarrë hapat e nevojshëm për ballafaqim me të kaluarën dhe drejtësi për viktimat”, tha Kurti.

Atje të pranishëm ishin kryesuesi i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Andin Hoti, Sami Lushtaku dhe kryetari aktual i Skënderajt, Bekim Jashari./Indeksonline/