Kurti tha se sot vijnë edhe mbi 53 mijë vaksina, Ministria e Shëndetësisë nuk jep detaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se sot në Kosovë pritet të vijnë edhe 53.200 vaksina antiCOVID, transmeton “Indeksonline”.
“Sot do të gjashtëfishkohet numri i inspektorëve, duke shtuar edhe 85 tjerë. Njësitë përgjegjëse janë në terren. E kemi rritur numrin e shtretërve në mbi 1600. Oksigjenimi qendror është shtrirë në spitalet rajonale. E sot pritet të vijnë edhe 53.200 vaksina. Prandaj i dashur qytetarë merre vaksinën, mbaje maskën, distanën e higjienën. Bashkë ia dalim”, ka thënë Kurti.
Por, ende nuk janë dhënë detaje për ardhjen e këtyre vaksinave.
“Indeksonline”, ka provuar të marrë një qëndrim nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, por ai nuk është përgjigjur interesimit të mediumit.
As zyrtarë tjerë të kësaj ministrie nuk janë shprehur të gatshëm të japin detaje për këtë çështje.
Kujtojmë se një ditë më parë është mbledhur edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtarë për shkak të situatës së rënduar me pandeminë./Indeksonline/
