13:37 / E Mërkurë, 08 Prill 2020 / indeksADMonline

Kurti thotë se dy ministrat janë ne finalizim të pakos emergjente

Pas situatës së krijuar nga COVID-19, Qeveria e Kosovës ndërmori një sërë masash në mënyrë që të parandalohet përhapja e koronavirusit.

Përpos kësaj, Qeveria e Kosovës mori vendim për krijimin e një Pako Emergjente që të ndihmohen thuajse të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyra të ndryshme.

Duke filluar nga ata që marrin social, pensionerët, punëtorët e bizneseve, por edhe shtesa për policët, mjekët, infermierët e shumë të tjerë.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti gjatë qëndrimit të sotëm në Gjakovë u pyet se kur do të fillojë funksionalizimi i kësaj pako, apo shpërndarja e këtyre parave të parapara tashmë me ligj, raporton Indeksonline.

Ai tha se pako është përgatitur, por që dy ministrat përkatës po përkujdesen nga afër për detajet.

“Ne e kemi përgatitur Pakon Emergjente Fiskale dhe  dy ministrat në veçanti ai i Financave, Besnik Bislimi, por edhe ajo e Ekonomisë Rozeta Hajdari janë në kontakt  të rregullt me të gjitha kategoritë të cilat do t’i ndihmojnë. Jemi përpjekur që  të mos jenë vetëm masa ekonomike, por socio-ekonomike ,  pra edhe sociale që jo vetëm bizneset pro të ndihmohen edhe punëtorët drejtpërsëdrejti”, tha ai.

Tutje Kurti tha se është mirë që të përcillen edhe publikimet që ata i bëjnë, por edhe të kontaktohen direkt për hollësitë të cilat  janë paraparë./Indeksonline/