75 Mall Live Search
17:32 / E Martë, 06 Shtator 2022 / A. M.

Kurti u takua sot me Drejtorin Rajonal të NDI për Evropën Qendrore dhe Lindore

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim Drejtorin Rajonal të NDI për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benjamin dhe drejtoren e kësaj organizate për Kosovë, Nancy Soderberg.

Gjatë këtij takimi u bisedua për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe transparencën.

‘’NDI mund të ndihmojë edhe më tej në demokratizimin e partive politike dhe në mbështetjen dhe forcimin e shoqërisë civile. Demokracia është e lidhur me respektimin e promovimin e të drejtave të njeriut dhe se të drejtat bazike të njeriut nuk duhet të fitohen, sepse ato na takojnë për vet faktin që ekzistojmë’’, u shpreh kryeministri Kurti.

Ai shtoi se nuk mund të ketë demokraci pa pluralizëm dhe një shoqëri civile të fortë dhe se Republika e Kosovës është shembull rajonal në këtë drejtim, transmeton IndeksOnline

Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi nevojën për të dhëna cilësore dhe analizë të të dhënave që duhet të vijnë nga institutet tona e që ndihmojnë vendimmarrjen dhe i ftoi përfaqësuesit e NDI për bashkëpunim në këtë drejtim.

Drejtori Rajonal i NDI për Evropën Qendrore dhe Lindore, z. Benjamin u shpreh i lumtur që janë të pranishëm në Kosovë dhe se duan ta rrisin më shumë praninë e tyre sikurse edhe bashkëpunimin me Zyrën e Kryeministrit dhe institucionet tjera për promovimin e qeverisjes së mirë dhe demokracisë.

‘’Është evidente që ka një betejë ndërmjet demokracisë dhe autokracisë’’, tha ai.

 Poashtu theksoi rëndësinë që integriteti i informacionit dhe luftimi i dezinformimit ka në këtë rast.

Z. Benjamin falënderoi kryeministrin Kurti për mbështetjen e deritanishme dhe për pjesëmarrjen e tij në Javën e Gruas./IndeksOnline/