75 Mall Live Search
18:47 / E Enjte, 24 Dhjetor 2020 / OSH

Kurti uron Krishtlindjet: Qoftë e bardhë e sjelltë bekime kjo festë motra e vëllezër të krishterë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka uruar festën e Krishtlindjeve për të gjithë shqiptarët katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë.

Ai ka uruar që kjo festë të sjellë bekime për besimtarët krishterë, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë:

Shqiptarët katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë, sot presin Krishtlindjen në një situatë padyshim të pazakontë. Kjo festë e rëndësishme kolektive për të krishterët, që çdo vit e presin me ceremoni të bukura e mesha festive, sivjet festohet nën kufizime e masa. Por Lindja e Krishtit është mesazhi universal i shpresës, që vjen te çdo njeri e që triumfon, mesazh i dashurisë që ngadhnjen mbi vetminë e braktisjen. Me shpresë e besim e duke ndenjur pranë me zemra edhe pse në distancë fizike, do ta tejkalojmë këtë sfidë të madhe të pandemisë.Uroj që Krishtlindja sivjet të sjellë forcë e shëndet, për besimtarët e krishterë e familjet e tyre, sigurisht edhe për klerikët që shërbejnë në kishat tona. Qoftë e bardhë e sjelltë bekime kjo festë motra e vëllezër të krishterë. Kjo festë e juaja, por që sipas traditës shqiptare të festave fetare urohet e gëzohet gjerësisht nga bashkësia kombëtare, pra është edhe e jona.