20:11 / E Diele, 05 Maj 2019 / indeksADMonline

Kurti uron myslimanët: Qoftë ky muaj që na bashkon rreth sofrës së solidaritetit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për muajin e shenjtë të Ramazanit.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti tha se buka e cila sakrifikohet çdo ditë për një muaj, është ajo që përbashkon në mbrëmje. Disiplinë e sakrificës në bashkësi e solidaritet, për ditë jomateriale dhe darkë barazimtare.

Duke shkruar për Ramazanin, ai shtoi se kur perëndon dita, mbrëmja është ajo që e shuan urinë dhe e fashit etjen, transmeton Indeksonline.

Kurti theksoi se ky muaj shërben që të jemi në këpucët dhe lëkurën e të tjerëve, ta kuptojmë që të heqësh dorë nga egoja nuk është mësimi i vetëm.

Postimi i plotë:

Sofra e cila ka më shumë se bukë e ujë – Sofra e mbushur me solidaritetit

Buka e cila sakrifikohet çdo ditë për një muaj, është po ajo që përbashkon në mbrëmje. Disiplinë e sakrificës në bashkësi e solidaritetit, për ditë jomateriale dhe darkë barazimtare. Për pastrim zemrash, kthjellim mendjesh, lartësim shpirtërash. Për karakter më të vendosur e më të përkushtuar për ndryshim e përmirësim. Për ekuilibër mes anës fizike dhe shpirtërore.

Kur perëndon dita, mbrëmja është ajo që e shuan urinë dhe e fashit etjen. Por, jo të gjithë kanë mbrëmje. Shumë nga populli ynë po kanë vetëm ditë të gjata pa bukë. Mbrëmja për ta do të vijë kur të perëndojnë zullumi e zhvatja. Atëherë do të vijë edhe buka.

Ky muaj shërben që të jemi në këpucët dhe lëkurën e të tjerëve. Ta kuptojmë që të heqësh dorë nga egoja nuk është mësimi i vetëm. Të jetosh përgjithmonë me ndjenjën e solidaritetit është qëllimi.

Uroj të gjithë besimtarët muslimanë për Ramazanin! Qoftë ky një muaj që na bashkon rreth sofrës së solidaritetit.