Kurti vazhdon vizitat nëpër komuna, kësaj radhe Theranda e Shtimja e pritën

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar vizitat nëpër komuna. Sot, ai bashkë me ministren në detyrë të Administratës dhe Pushtetit Lokal, znj. Emilija Redžepi, kanë takuar Kryetarin e Komunës së Therandës, Bali Muharremajn dhe Kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim Ismajlin në komunat e tyre respektive, bëhet e ditur në komunikatën e lëshuar për medie nga zyra e kryeministrit.
“Në Therandë, kryetari Muharremaj njoftoi se gjendja është duke u menaxhuar suksesshëm dhe se të prekurit me virusin corona janë duke u monitoruar në vazhdimësi. Sa i përket masave të reja të lëvizjes, ato po respektohen dhe po tregohen shumë efektive.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Shtimes, z. Ismajli tregoi se në komunën e tij deri tani ka qenë vetëm një rast i prekur me COVID-19, i cili është shëruar. Masat e qeverisë dhe rekomandimet e profesionistëve të shëndetësisë për mbajtjen e distancës, pastërtisë dhe më të rëndësishmen qëndrimit në shtëpi janë arsyet e menaxhimit të mirë të kësaj situate në këtë komunë”, thekson komunikata.
Tutje zyra e kryeministrit thekson se përkundër këtyre sukseseve, nuk është koha të relaksohemi, prandaj vëmendja duhet të jetë maskimale, ashtu si edhe disiplina.
” Duhet të jemi bashkë dhe të ndarë: bashkë në luftën kundër virusit, të ndarë nëpër shtëpitë tona për të fituar kundër virusit”, thuhet tutje në komunikatën e zyrën së Kurtit.