75 Mall Live Search
15:24 / E Mërkurë, 31 Dhjetor 2025 / MSH1

Kurti viziton KEK-un: Tri njësitë e termocentraleve në funksion, kemi energji të qëndrueshme

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës, respektivisht termocentralet Kosova A dhe B, ku nga afër janë informuar për gjendjen e njësive prodhuese dhe investimet e realizuara e ato të planifikuara.

Pas vizitës, ata kanë mbajtur një konferencë për media, ku kanë theksuar stabilitetin e furnizimit me energji dhe projektet për modernizim të KEK-ut.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se gjatë vizitës është konstatuar funksionimi i tri njësive të termocentraleve, çka sipas tij garanton stabilitet energjetik.

“Të vizitojmë termocentralin Kosova A dhe B në këtë vit të fundit 2025, ku presim festat e ndërrimit të motmoteve. E pamë edhe vetë që janë duke funksionuar tri njësitë e termocentraleve. Kjo do të thotë që kemi stabilitet të funksionimit dhe energji të qëndrueshme. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë punëtorët e KEK-ut që janë në shërbim të qytetarëve dhe të sigurisë së përgjithshme të Republikës, i përgëzoj për investimet deri më tani. Zotohemi që do të ketë modernizim të Kosovës B, do të kemi kapacitet të shtuar të gjenerimit të energjisë. Ua urova të gjithë punëtorëve dhe si porosi nga punëtorët shpresoj që në këtë natë të ndërrimit të motmoteve më shumë nikoqirë të tregohen ata që janë në ngrohjen qendrore nga Termokosi. Është shumë e rëndësishme sa shumë furnizohet ngrohja qendrore nga ky vend ku ndodhemi ne tani. U zotuam që do t’i bëjmë investimet me kohë, meqë rast ka afate të përcaktuara nga bordi dhe drejtoria, që gjërat të investohen dhe të përmbyllen në rregull, por jo edhe pas tyre”, tha Kurti.

Ndërkaq, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, foli për investimet konkrete të realizuara gjatë këtij viti dhe planet për zgjerim të kapaciteteve energjetike.

“Në këtë përmbyllje do të doja të theksoj që sivjet KEK ka realizuar investimin më të madh duke modernizuar turbinën në B2, gjë që ka rritur kapacitetin për 35 megavat. Në vitin e ardhshëm pritet i njëjti investim edhe në B1 me ndërrimin e filtrave. Dua të cek që gjatë këtij viti një hap i rëndësishëm ka qenë fillimi i kontraktimit të njësisë A3. Qenka edhe një e arritur projekti që financohet nga BE dhe që do të ndërtohet park solar me 100 megavat në KEK. Gjatë vitit tjetër presim të nënshkruhet kontrata dhe menjëherë pas asaj të fillojë ndërtimi. Presim që në fund të vitit tjetër KEK të ketë 350 megavatë shtesë. KEK-u është duke punuar në pesë blloqe dhe desha t’i falënderoj për këtë”, tha ajo.