23:42 / E Premte, 30 Shtator 2022 / MSH

Kurti vlerëson kontributin e Ejup Statovcit

Veprimtaria shkencore e publike e profesorit dhe rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, u shfaq sonte në dokumentarin kushtuar jetës dhe veprës së tij.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Albin Kurti, vlerësoi kontributin e rektorit Statovci, si një ndër ekspertët që hartuan Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 7 shtator në Kaçanik.

“Deri në moshën 51 vjeçare, jeta e Ejup Statovcit ishte ajo e një profesori të përkushtuar dhe e një shkencëtari prodhimtar. Ajo do të mund të vazhdonte me këtë rrjedhë, sikur më 1991, kur Serbia i dëboi shqiptarët nga Universiteti i Prishtinës, të mos vinte në krye të Universitetit të Prishtinës si rektor. Në historinë e universitetit tonë, ai është rektori i 10-të në radhë, por Ejup Statovci është rektori më jetëgjatë, që e drejtoi Universitetin e Prishtinës, nga 26 nëntori i vitit 1991 dhe deri më 31 dhjetor 1997”, tha kryeministri Kurti.

Kurti shtoi se profesor Ejup Statovci i qëndroi besnik formimit të tij kulturor, duke i përkthyer mendimet dhe bindjet e tij nga dije dhe besim, në guxim për të folur dhe vullnet për të vepruar.

“Ai kuptoi saktë dhe drejt detyrat që ia jepte pozita e rektorit të Universitetit të Prishtinës dhe rolin që ia kërkoi koha në shoqëri”, vijoi Kurti.

Kurti tha se profesor Ejup Statovci u bë pjesë e historisë në një mënyrë shumë autentike. Ajo listë e gjatë e publikimeve shkencore të Profesor Ejup Statovcit gjatë viteve të ’70-ta dhe të ’80-ta, u rrallua dukshëm në vitet ’90-ta, sepse në dekadën e fundit të jetës së tij, Profesor Ejup Statovci u kthye në akademik të rezistencës.