Kurti zhvillon telefonatë me Marta Kos: Integrimi në BE, prioritet kyç i Qeverisë
Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos.
Sipas njoftimit të lëshuar nga ZKM, ata kanë diskutuar për zgjerimin dhe ecurinë e reformave të Kosoves drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Qeveria ka thënë se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet kyç dhe se Kurti ka nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat.
“Kryeministri Kurti theksoi se ndër vendimet e para të Kuvendit të Republikës së Kosovës, krahas miratimit të buxhetit të ri në vlerë prej 4 miliardë euro, ishte edhe miratimi i Planit të Rritjes në vlerë prej 882.6 milionë euro, i cili synon përshpejtimin e reformave dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Pas miratimit të Planit të Rritjes, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraparë një sërë hapash për zbatim, të ndërlidhur ngushtë me kalimin e ligjeve në Kuvend, që kapin vlerën rreth 90 milionë euro”, thuhet në njoftim.
Ata kanë folur edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon.
“Kosova është e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe i është bashkuar të gjitha pakove të sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse, në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.

