18:35 / E Martë, 07 Maj 2024 / k.v

Kurti: Zvogëlimi i barrës administrative, një hap i rëndësishëm për të përfituar nga shërbimet e qeverisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në konferencën e organizuar nga Zyra e Kryeministrit dhe GIZ-i gjerman me temë, “Si mund të përfitojnë komunitetet joshumicë nga Zvogëlimi i Barrës Administrative”. Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Joern Rohde dhe zëvendës shefja e misionit të BE-së në Kosovë, Eva Palatova.

Si folës kyç, kryeministri Kurti, në fjalën e tij përshëndetëse, tha se administrata publike është fusha ku ne i shërbejmë qytetarëve, prandaj edhe është prioritet i Qeverisë dhe se qëllim yni është që çdo qytetar të ketë qasje të lehtë në shërbimet publike me kosto reale për procedura.

“Zvogëlimi i barrës administrative është një hap i rëndësishëm për të siguruar që të gjitha komunitetet në Kosovë, të kenë mundësi të barabarta për të përfituar nga shërbimet dhe burimet qeveritare”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se përpjekja për të garantuar qasje të barabartë në shërbime publike për të gjithë qytetarët, është një pjesë e thellësisë së procesit të qeverisjes dhe zhvillimit të një vendi.

Kryeministri Kurti përmendi fushat, në të cilat zvogëlimi i barrës administrative do të ketë ndikim pozitiv. Ai veçoi fushën e arsimit, ku zvogëlimi i barrës administrative do të lehtësojë procesin e regjistrimit në institucionet arsimore dhe do të rrisë mundësitë për qytetarët për të përfituar nga arsimimi i lartë; fushën e shëndetësisë, ku zvogëlimi i barrës administrative do të sjellë një përmirësim në qasjen dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor për të gjithë qytetarët; ndërkaq në aspektin ekonomik, një gjë e tillë do të ndikojë në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për kryerjen e procedurave të nevojshme për bizneset dhe sipërmarrësit.

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Kurti, falënderoi Qeverinë Zvicerane, që mbështesin reformën nëpërmjet projektit për përshpejtimin e klimës së investimeve, të zbatuar nga Korporata Ndërkombëtare Financiare, dhe partnerët kryesorë të këtij procesi, Bashkimin Evropian dhe Qeverinë Gjermane, që nëpërmjet projektit të bashkëfinancuar për zvogëlimin e barrës administrative të zbatuar nga GIZ-i, e kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin zbatimin e Programit dhe arritjen e rezultateve të mira. Ai shtoi se Qeveria  Republikës së Kosovës,  do të mbështesë vazhdimisht procesin e reduktimit të barrës administrative, për të siguruar që të gjithë qytetarët pa dallime të marrin shërbime sa më të lehta, të shpejta dhe cilësore nga administrata jonë publike.