Kurti: Prania e shtuar e forcave serbe pranë kufirit, reaksion ndaj “Defender Europe 2025”

Kryeministri në detyrë Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë ka folur dhe ushtrimin “Defender Europe 25”, i cili është duke u mbajtur dhe në Kosovë.
Kurti ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë me përafërsisht 1000 trupa në ushtrimet që po zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut.
“ Aktualisht në tri zona gjeografike në kontinentin e Evropës është duke u realizuar ushtrimi më i madh që Ushtria e ShBA-ve organizon dhe realizon në kontinentin e Evropës, “Defender Europe 25”, me pjesëmarrje të 25 mijë trupave nga 29 vende të NATO-s. Republika e Kosovës ka nderin dhe kënaqësinë të jetë në mesin e 18 vendeve nikoqire, dhe se Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë me përafërsisht 1000 trupa në ushtrimet që po zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut”, tha Kurti.
Ai tha se këtë radhë Republika e Kosovës është vend i përzgjedhur nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është vendosur komanda e Divizionit 28 të këmbësorisë. Ndërsa pohoi se institucionet dhe ushtria jonë po dëshmojnë që janë të afta për të mikpritur dhe për të organizuar në territorin e saj ushtrime komplekse të cilat kërkojnë planifikim, organizim dhe mbështetje të nivelit shumë të lartë
“Nga baza e FSK-së në Aeroportin e Gjakovës, kjo komandë taktike amerikane po udhëheq me të gjitha brigadat në regjionin e Evropës Juglindore. Institucionet tona dhe ushtria jonë po dëshmojnë që janë të afta për të mikpritur dhe për të organizuar në territorin e saj ushtrime komplekse të cilat kërkojnë planifikim, organizim dhe mbështetje të nivelit shumë të lartë”, tha Kurti.
Ndërkaq tha se rritja e gatishmërisë dhe pranisë së forcave të armatosura të Serbisë pranë kufirit tonë, është reaksion ndaj Defender Europe 25.
“E rritja e gatishmërisë dhe pranisë në kufirin tonë e Forcave të Armatosura të Serbisë besojmë që është reaksion ndaj Defender Europe 25, por ajo çfarë nuk e dimë ende është se a po e bën këtë vetë Serbia apo një gjë të tillë ia ka kërkuar Rusia”, ka thënë Kurti./Indeksonline/