Kurtishaj: Shqetësuese rritja e çmimeve në Shqipëri, bie numri i turistëve kosovarë

Rritja e çmimeve në bregdetin shqiptar, ka bërë që numri i turisteve kosovarë këtë vit të bie. Kështu ka deklaruar kryetari i Shoqatës së Turizmit në Kosovë Ruzhdi Kurtishaj.
Kurtishaj thotë se ka ngritur alarmin për këtë, por se politika e çmimeve po e dëmton imazhin e Shqipërisë turistike.
“ Statistikat e fundit nga INSTAT tregojnë për një ndryshim të statistikave, rënie të pritshmërive sa i përket rritjes së numrit të pushuesve në Shqipëri . Viteve të fundit kishte rritje deri në 25 përqind ndërkaq në vitin 2025 këto shifra janë më të vogla diku rreth 3 përqind dhe shqiptarët e Kosovës bëjnë pjesë në këtë shifër . Ne si kompani, dhe si shoqatë kemi ngritur shqetësimet tona. Kemi ngritur alarmin qysh në muajin qershor, që të kenë kujdes në politikën e çmimeve. Sepse politika e çmimeve mund të dëmtojë imazhin e Shqipërisë turistike. Sepse nuk mund të shkojë Shqipëria me çmimet e larta, duke pasur parasysh në atë që po pretendojnë të arrijnë në tërheqjen e turistëve elitar. Sepse akoma nuk janë krijuar kushte për një turizëm elitar, për t’i pasur këto çmime”, tha ai.
Kurtishaj thotë se fal avokimit të Shoqatës që udhëheq, tani çmimet janë jashtëzakonisht të arsyeshme, për të gjithë ata që zgjedhin bregdetin shqiptar në fund të muajit gusht dhe në muajin shtator për t’i kaluar pushimet.
Sipas tij fal avokimit që bënë si shoqatë e turizmit, ka ndryshim të çmimeve dhe ofertave të shtatorit në bregdetin shqiptar.
“ Ne kemi avokuar çështjen e çmimeve si shoqatë si individ dhe kemi arritur që fundin e gushtit dhe fillimin e shtatori, të kemi zbritje të çmimeve. Kjo është dashur të merret për bazë nga qershori, kur ne kemi ngritur një alarm që të kenë kujdes. Pra ajo që ishte shqetësuese për ne, e që dhe statistikat po thonë atë që ne kemi paralajmëruar me kohë shqetëismiun për rënie të turistëve. Hotelet në Shqipëri resortet duhet urgjentisht të ulin çmimet, të krijojnë pako turistike të mirëfillta, të pranueshme për shqiptarët e Kosovës”, tha ai.
Kurtishaj thotë se me këto çmime, shqiptarëve të Kosovës u mbetet ta shijojn bregdetin shqiptar, nga muaji janar deri ne qershor, pasi që këto çmime në korrik dhe gusht, janë të papërballueshme për ta.
“Deri në muajin qershor, kosovarët kanë mundur ta frekuentojnë bregdetin shqiptar. Por në korrik e gusht çmimet kanë qenë të papërballueshme. Statistikat flasin që nga janari deri në qërshor, kemi pasur rritje, ndërkaq në korrik dhe gusht ka pasur rënie për 7 përqind, në krahasim me vitin e kaluar nga kosovaret”, tha ai.
Ai thotë se 150 mijë kosovarë i munguan këtë vit bregdetit shqiptar, pasi që shikuan alternative tjera, me çmime më të arsyeshme.
“Shqiptarët e Kosovës shikuan alternativa tjera. Janë mbi 150 mijë kosovarë që i munguan bregdetit shqiptar, ku shkuan këta pushues. Shqipëria po e mendon turizmin elitar, por po bënë hapa të ngushtëm pa e rritur nivelin e shërbimeve, por po i ngrisin çmimet. Turizmi elitar arrihet jo vetëm me rritje të çmimeve, por dhe të shërbimeve, gjë që ende se kanë arritur. 140 mijë qyetarë që munguan në bregdetin shqiptar”, tha ai.