17:57 / E Martë, 16 Korrik 2019 / indeksADMonline

Kusari-Lila në Kongresin Amerikan – kërkon njohjen e Kosovës nga shtetet që ende se kanë bërë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari – Lila, e cila po merr pjesë në Forumin e liderëve parlamentarë në Kongresin Amerikan në Washington, ka folur për të arriturat dhe sfidat e shtetit të Kosovës, ndërsa ju bëri thirrje deputetëve të shteteve pjesëmarrëse që nuk e kanë njohur Kosovën, ta njohin shtetin e ri demokratik të Evropës.

“Kosova është demokraci parlamentare për 18 vite dhe shtet i pavarur për 11 vite. Gjatë kësaj periudhe kemi pasur gjashtë palë zgjedhje parlamentare dhe sfidat tona lidhur me procesin, por gradualisht kemi përparuar në organizimin e procesit zgjedhor. Sfida e Parlamentit të Kosovës janë mbajtja e fokusit në proceset zhvillimore dhe stabiliteti politik e avansimi demokratik. E kemi kuptuar se nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm pa demokraci të qëndrueshme”, tha Kusari-Lila.

Deputetja Kusari – Lila në emër të delegacionit të Kosovës, falenderoi kongresmentët David Price (D) dhe Vern Buchanan (R) bashkëkryesuesit e programit për partneritet demokratik të Kongresit si dhe përfaqësuesit e USAID, NDI dhe IRI për ndihmën për zhvillimin e demokracisë në Kosovë.

Gjithashtu, deputetja Kusari – Lila, ju bëri thirrje deputetëve të shteteve pjesëmarrëse që nuk e kanë njohur Kosovën, ta njohin shtetin e ri demokratik të Evropës.