Kusari-Lila: Partitë politike të jenë të vetëdijshme për situatën me Serbinë

Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, i ka përmendur sulmet e fundit ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit.
Në fjalën e saj në seancën e sotme, ajo tha se përkundër këtyre sulmeve ndaj policisë, asgjë nuk është e papritur apo e çuditshme në Evropë.
“Më 26 prill policia e Kosovës është sulmuar në fshatin Zubq të Zubin Potokut, përveç dëmëve materiale nuk raportohet për të lënduar. Ky ishte sulmi i 6-të prej dy javësh në polici në veri. Siç deklaroi ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla më 15 prill, për 3 ditë policia u sulmua 4 herë në veri. Mëngjesin e 15 prillit policia u sulmua me granata dorë dhe AK-47 sulm që u konsiderua terrorist që u bë me qëllim të frikësimit të policisë dhe qytetarëve të Kosovës. Këto sulme janë dënuar nga ambasadat e akredituara në Kosovë dhe misioni i KFOR-it që dënuan ashpër sulmet dhe konfirmuan gatishmërinë për të mbështetur policinë nëse është nevojshme dhe e kërkuara nga institucionet e vendit. Përkundër shqetësimeve që sjellin këto sulme dhe shqetësimeve që mund të ndjellin nervoz tek qytetarët, asgjë nuk është e papritur apo e çuditshme në rrethana gjeopolitike që po mbretërojnë në Evropë”.
Ndër të tjera, Kusari-Lila tha se Serbia e ka të gjatë listën e provokimeve dhe iu bëri thirrje partive politike në vend të të jenë të vetëdijshme për këtë situatë dhe nëse janë të gatshme, të punojnë bashkë për interesat e vendit.
“Agresioni i paprovokuar rus ndaj Ukrainës pashmangshëm e përcolli efektin e saj prej krizës së energjisë e deri tek çmimet e artikujve të konsumit të gjerë dhe kriza e sigurisë në veçanti në shtetet të cilat ose kufizohet me Rusinë apo shtete të cilat kanë lidhje strategjike me Rusinë. Me Serbinë në kufirin tonë verior, është e pritshme dhe aspak befasuese lista e provokimeve të tilla, megjithatë duhet të kemi parasysh se rrethanat e krijuara nuk e kanë fokusin e ngushtuar të veprimit, ato janë pjesë e veprimit të një lufte të re definimi i së cilit u paraqit si luftë hibride e cila është teori e strategjisë ushtarake e propozuar për herë të parë në vitin 2007 dhe përdor luftën politike, luftën e parregullt, luftën kibernetike, lajmet e rreme, fake news, diplomacinë, ndërhyrjet ligjore dhe ndërhyrjet në zgjedhjet e vendeve të huaja. Kërcënimet për stabilitetin dhe sigurinë po ndodhin gjithnjë e më shumë në zonën gri, ku aktorët shtetëror dhe joshtetëror përdorin taktika hibride si dezinformimi apo sulmi kibernetik. Është e gjatë lista e veprimeve të luftës së Rusisë ndaj shteteve tjera me të gjitha metodat e lartcekura. Në situatën kur s’mund të kontrollojmë rrethanat e krijuara nga të tjerët është e domosdoshme të kontrollojmë sjelljen tonë ndaj rrethanave të imponuara nga jashtë. Kosova e ka forcën e sigurisë që po forcohet çdo ditë ndonëse nuk është anëtare e NATO-s, trupat e aleancës janë këtu, ajo tashmë ka dërguar mesazhin se është e gtashme të ndihmojë kur kërkohet, ndërsa për ndërhyrje të tjera si fake neës, ndërhyrjet ligjore dhe diplomatike, tashmë kemi parë tentime e mekanizma përmes të cilave u tentua të ndikohet në Kosovë. Është e rëndësisë së veçantë që partitë politike në vend të jenë të vetëdijshme për këtë situatë dhe nëse janë të gatshme, kuptohet, të punojmë për interesat tona. Sot më shumë se kurrë do të ketë ndërhyrje të forta të luftës hibride në rajonin tonë dhe shënjestër në këto raste janë Qeveritë dhe institucionet shtetërore. Këtë javë e kemi parë se si një pjesë e opozitës ka rënë në kurth me vetëdije apo jo, veçse është e sigurt që me vetëdije nuk po dalin prej kurthit. Lufta hibride kështu duket, nëse keni reflektuar ndonjëherë se çfarë është ajo, ja kështu siç po na ngjan neve këto javë dhe në këto forma. Kush nuk do ta shoh që po ngjan nuk është i gatshëm për kundërpërgjigje, rrjedhimisht duhet të pyes veten në anën e kujt është”, tha ajo.