Kusari-Lila: Presioni më i madh në Kosovë se në Serbi sepse po reziston vetëm qeveria
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se në Kosovë po bëhet presion më i madh se në Serbi nga ndërkombëtarët, sepse po reziston vetëm qeveria dhe jo edhe opozita.
Kusari-Lila ka thënë se është parim që presioni të bëhet aty ku rezistenca është më e ulët.
“Është parim i përgjithshëm që presioni të bëhet aty ku ka më pak rezistencë. Fatkeqësisht, presioni më i madh për Asociacionin po vjen në Kosovë, ku rezistencë po bënë vetëm qeveria”, ka thënë Kusari-Lila në DPT te Fidani.
Kusari-Lila, duke iu përgjigjur deklaratave të të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të bëhet edhe pa kryeminsstrin Albin Kurti, ka thënë se është e pamundur të rrëzohet qeveria.
Ajo ka thënë se, edhe në rast rrëzimi, tashmë është dëshmuar që kjo nuk e dobëson atë.
“Do të jetë shumë e vështirë, me zëvendësu pozitën me opozitën, duke parë konstolacionin e numrave në Kuvendin e Kosovës, pa pasur një kthim dramatik të deputetëve të pozitës. Unë dyshoj që ky është synimi, pasi që ndryshimi i qeverisë herën e kaluar, nuk solli një dobësim të lidershipit”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila ka thënë Qeveria aktuale është e para që s’ka varshmëri nga Lista Serbe.
“Kjo qeveri është e para që nuk varet nga Lista Serbe, ne kemi bashkëpunuar me ta, por ata kanë dashur ta kenë një rol në qeveri, që e kanë pasur me qeveritë tjera”, ka deklaruar ajo.