75 Mall Live Search
23:36 / E Premte, 06 Janar 2023 / MSH

Kusari-Lila: Sulmi i sotëm akt i izoluar i një individi, sot është natë feste për ortodoksët, duhet të ketë festë e jo frikë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas sulmit të sotëm ndaj dy civilëve në Shtërpcë, të cilët morën lëndime trupore pasi mbi ta pati të shtëna me armë zjarri.

Kusari-Lila thotë se ky është një sulm makabër, i cili duhet të dënohet.

Ajo përgëzoi Policinë për reagimin e shpejtë në arrestimin e të dyshuarit, dhe se pret vendime korrekte nga ana e organeve të drejtësisë.

“Sonte është natë feste për të gjithë besimtarët ortodoks sllavë, andaj sonte familjet duhet të kenë festë e askush nuk duhet në Kosovë të ndiej frikë apo ankth nga rrethanat e sigurisë” tha ndër të tjerash Kusari-Lila.

Ky është reagimi i plotë i saj:

Sulmi i sotëm në Shtërpcë nga vetura në lëvizje, dhe plagosja e dy qytetarëve të kominitetit Serb 11 dhe 21 vjeç, është sulm makabër ndaj të drejtës elementare të qytetarëve të këtij vendi dhe sulm direkt ndaj Republikës së Kosovës!

Sulmi si i tillë është akt i izoluar i një individi i cili me këtë vepër nuk përfaqëson asnjë institucion, politikë apo synim të shumicës.

Përgëzoj pjestarët e Policisë së Kosovës për reagimin e shpejtë dhe arrestimin e të dyshuarit për veprën dhe presim veprime të njejta nga organet e drejtësisë për të ndriquar secilin detaj që lidhet me këtë vepër të rëndë!

Sonte është natë feste për të gjithë besimtarët ortodoks sllavë, andaj sonte familjet duhet të kenë festë e askush nuk duhet në Kosovë të ndiej frikë apo ankth nga rrethanat e sigurisē.

Kosova si shtet i lirë dhe sovran është shtëpi e të gjitha komuniteteve pa dallim, ndërsa institucionet e saja janë të përkushtuara për të siguruar mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e saj!