Kusari-Lila takohet me ambasadoren sllovene: E mbështesim Kurtin për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila sot është takuar me Ambasadoren e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Minca Benedejçiç, me të cilën biseduan për raportet mes dy vendeve.
Kusari-Lila e njoftoi se i kanë dhënë mbështetjen e plotë Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti në vendimin për mos mbajtjen e zgjedhjeve Serbe në Kosovë, raporton Indeksonline.
“Ne gjithashtu mbështesim Qeverinë në procesin e reformave të administratës shtetërore, reformave në sektorin ekonomik dhe atë në sektorin e drejtësisë”, shkruan ajo.
Njoftimi i plotë:
Sot kisha kënaqësinë të pres në takim Ambasadoren e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, znj. Minca Benedejçiç.
Me Ambasadoren biseduam për raportet e shkëlqyera në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e mëtutje.
Ambasadoren e informova për planet e legjislativit dhe grupit tonë parlamentar si dhe bashkërendimin e aktiviteteve tona me Qeverinë dhe grupet tjera parlamentare.
Grupi ynë parlamentar ka dhënë mbështetjen e plotë Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti në vendimin për mos mbajtjen e zgjedhjeve Serbe në Kosovë. Ne gjithashtu mbështesim Qeverinë në procesin e reformave të administratës shtetërore, reformave në sektorin ekonomik dhe atë në sektorin e drejtësisë.
Ambasadorja Benedejçiç u shpreh e bindur në vazhdimin e bashkëpunimit tonë dhe potencialin e madh të këtij bashkëpunimi në mes të dy shteteve tona.
Ambasadoren e prita bashkë me deputeten Shqipe Metaj Isufi, anëtare e grupit të miqësisë Kosovë – Slloveni.