15:57 / E Hënë, 12 Qershor 2023 / S Z

Kusari-Lila thotë se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit dështoi për shkak të mungesës së Hoxhajt e Shalës

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari Lila, i ka reaguar Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, i cili deklaroi se mbledhja e kryesisë së Kuvendit,  dështoi pasi që nuk ishin të pranishëm përfaqësues të VV-së.

Kusari e ka demantuar Tahirin, duke pohuar se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit,  ka dështuar për shkak të mungesës së dy nënkryetarëve të Kuvendit nga opozita, Enver Hoxhaj nga PDK dhe Kujtim Shala nga LDK.

Kusari në reagimin e saj ka kërkuar nga Tahiri që mos të dezinformojë, duke u munduar kështu që të mbuloi  dështimet e subjektit që përfaqëson në Kuvend.

Postimi i plotë i Kusarit:

Demantim:

Urime edhe ty Abelard Tahiri dita e çlirimit të Kosovës! Çka mund të bësh sot si duhet është të pakten të mos dezinformosh duke mbuluar dështimet e subjektit që përfaqëson në Kuvend!

Për informim të drejtë të opinionit publik, sot mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka dështuar për shkak të mungesës së dy nënkryetarëve të Kuvendit nga opozita, Enver Hoxhaj nga PDK dhe Kujtim Shala nga LDK.

Nuk është e vërtetë deklarata e shefit të GP të PDK-së që për shkak të mungesës së përfaqësuesit të LVV nuk ka pasur kuorum në mbledhjen e Kryesisë.

Për të satën herë me radhë, shefat e grupeve parlamentare NUK E BËJNË kuorumin e Kryesisë, atë e përbëjnë Kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit. Sot prezent ishin, Kryetari Glauk Konjufca dhe Nënkryetari Bahrim Shabani nga pozita, ndërsa dy Nënkryetarët nga opozita pa ndonjë paralajmërim, nuk u paraqiten në takim.

Kjo tendencë e ikjes nga përgjegjësia e obligimeve parlamentare nuk i bën nder opozitës dhe as nuk i shton vlerë demokracisë parlamentare.

Do të ishte mirë z. Tahiri të tregonte pse Nënkryetari nga radhët e PDK-së nuk ishte prezent sot dhe jo të mundohej kotësisht të bënte kauzë opozitare të paqenë.