Kush do t’i prijë LDK-së në garën për kryetar të Deçanit? 4 emra po diskutohen

Partitë politike tashmë kanë hyrë në një fazë të re të zhvillimeve brenda tyre, duke bërë përgatitjen e fundit që të paraqesin kandidaturat për kryetar komunash.
Me intensitet të madh po punohet edhe në partinë e Lumir Abdixhikut.
Në degën e Deçanit tashmë LDK-ja ka filluar të përgatisë një liste prej 4-5 personave të cilët pritet të maten së pari në opinion dhe votuesit e kësaj partie, e që më pastaj të zgjidhet si kandidati i partisë për kryetar të Decanit.
IndeksOnline ka mësuar se dy nga emrat që po përfliten për këtë pozitë, është ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe Albert Kurtulaj që mban pozitën e sekretarit të degës.
Jeton Mushkolaj, kryetari i degës së LDK-së në Deçan në një përgjigje për IndeksOnline ka thënë se ende nuk kanë ndonjë emër konkret për të paraqitur, por se ka deklaruar se janë katër ose pesë emrat që do të ‘testohen’ para elektoratit të LDK-së.
“Nuk kemi shkuar ende në këtë nivel. Nuk kemi fol për emra të përveçëm. Janë edhe katër ose pesë që janë tu u marr me matje në opinion, kemi vendos që na edhe me të kryesisë të bëjmë një matje në terren. Nuk është korrekte me i qit emrat se ende janë duke diskutu që ata të paktën me pranu për me hi në këtë far rrethi që me u ba matje”, tha Mushkolaj për IndeksOnline.
Mushkolaj tutje ka thënë se presin që brenda dy javësh që ta përmbyllim si proces, e që pastaj ta zyrtarizojnë kandidatin e tyre./IndeksOnline/