Kush “eci” dhe kush erdhi, shkarkohen tre komandantë të Policisë në Kosovë, ja emrat e ri në këto pozita

Tre komandantë të stacioneve policore janë shkarkuar sot nga detyrat e tyre.
IndeksOnline raporton se bëhet fjalë për shkarkimin e komandantit Idriz Atashi, nga stacioni policor i Pejës, komandantit Afrim Sylaj, nga stacioni policor në Suharekë, si dhe komandantin Ragip Bytyqi, nga stacioni policor i Klinës.
Shkarkimi i tyre është bërë me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe në kuadër të ndryshimeve në strukturat organizative të stacioneve policore, shkruan IndeksOnline.
Ushtrues i detyrës së komandantit në stacionin policor të Pejës, tani do të jetë Faik Jahmurataj, teksa në Klinë do të jetë Enis Lluka, i cili për një kohë të konsiderueshme ka shërbyer si zëvendëskomandant në Pejë.
Paraardhësit e tyre, Idriz Atashi dhe Ragip Bytyqi do të sistemohen në kuadër të administrimit regjional të Pejës, ku do të ndjekin detyrat dhe obligimet e përcaktuara të degës.
Vetëm një ditë më parë, komandanti i policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, dha dorëheqje pas rastit të 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu.
Dorëheqja e tij u pranua nga institucionet, teksa Gashi u zëvendësua me komandantin e trafikut rajonal të Ferizajt, Brahim Shatrollin.
Kujtojmë se ditëve të fundit ka pasur një mori hetimesh ndaj zyrtarëve policorë, sidomos pas sulmit që iu bë një viktime nga tre zyrtarë policorë në Klinë, dhe vdekjes së dyshimtë të Agon Zejnullahut, në Lipjan./IndeksOnline/