75 Mall Live Search
10:39 / E Premte, 16 Janar 2026 / S Z

Kush është Dragana Antonijeviq dhe pse kërkohet dëshmia e saj në rastin “Basnjska”

Kërkesa e mbrojtjes së të akuzuarit Dushan Maksimoviq për dëgjimin e dëshmitares Dragana Antonijeviq ka nxitur debat në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Banjska”.

Avokatja mbrojtëse, Jovana Filipoviq, ka kërkuar që Antonijeviq të dëshmojë personalisht para gjykatës, duke theksuar se ajo nuk është dëgjuar gjatë shqyrtimit gjyqësor, por vetëm është lexuar deklarata e saj. “Ajo nuk është dëgjuar në shqyrtimin gjyqësor, është lexuar vetëm deklarata e saj”, ka deklaruar mbrojtja, transmeton IndeksOnline.

Nga ana tjetër, avokati i familjes së policit të vrarë Afrim Bunjaku, Arianit Koci, ka theksuar se ekziston një vendim gjyqësor që garanton të drejtat e mbrojtjes së të akuzuarve, por ka paralajmëruar se çështja është tashmë e rregulluar me vendim.

“Ka një vendim gjyqësor që garanton kushtet për mbrojtjen e të akuzuarve, përndryshe kemi vendim për këtë çështje”, u shpreh ai.

Prokurori special, Naim Abazi, ka kundërshtuar kërkesën për sjelljen e dëshmitares në gjykatë, duke sqaruar se Dragana Antonijeviq ka dhënë deklaratën e saj, më 16 maj 2024 dhe se trupi gjykues i mëparshëm ka bërë përpjekje të vazhdueshme për ta kontaktuar, pa sukses. Sipas tij, ajo nuk i është përgjigjur thirrjeve të gjykatës dhe rezulton se është larguar nga Kosova, duke jetuar aktualisht në Serbi. Abazi ka bërë të ditur se Antonijeviq ka dëshmuar lidhur me ngjarjet e ditës kritike të 24 shtatorit 2023, kur ishte e punësuar në hotelin “Rajnska Banjska”.

Deklarata e saj është lexuar në gjykatë dhe procesi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

“Nuk e shoh të arsyeshme që kjo dëshmitare të sillet në gjykatë, pasi deri më tani nuk kemi asnjë njoftim se ajo është kthyer në territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë prokurori.

Megjithatë, krytari i trupit gjykues, Ngadhnim Arrni ka bërë të ditur se, ndonëse janë lexuar të gjitha deklaratat për këtë çështje dhe pavarësisht se nuk është arritur të sigurohet prezenca e saj, në interes të mbrojtjes do të bëhet edhe një përpjekje tjetër për ta kontaktuar dëshmitaren.

Nërkaq, avokatja mbrojtëse e Maksimoviq, ka kërkuar të dëgjohen edhe 10 dëshmitar të ri lidhur me rastin. Nga ana tjetër prokuroria ka refuzuar kërkesen e saj. /IndeksOnline/