23:20 / E Diele, 21 Janar 2024 / AR

Kush është Hedy Lamar, gruaja që shpiku Wifin-n

Hedy Lamar ishte një ikonë bukurie. Ajo u nda nga jeta më 19 Janar të vitit 2000 duke lënë pas një trashëgimi të madhe. Ajo ishte fëmijë i vetëm në një familje të pasur austriake.

Mediat e huaja shkruajnë shumë për marrëdhënien e saj me të atin, i cili me profesion ishte bankier. Ai e merrte Hedy-n për shëtitje dhe në bisedat e tyre mbizotëronte dëshira për të ditur gjithçka mbi makineritë e kohës. Përpos kureshtjes në këtë fushë, Hedy shkonte në kurse baleti e pianoje.

Në moshën 12-vjeçare, ajo fitoi një konkurs bukurie në Vienë, por ajo që i interesonte ishte aktrimi, kështu që filloi të merrte mësime fshehurazi nga nëna e saj. Në moshën 19-vjeçare, ajo takoi një tregtar austriak armësh, i cili do të luante një rol kyç në jetën e saj dhe në realizimin e asaj që ne njohim sot. Ata u martuan në vitin 1933 dhe ajo e kuptoi menjëherë më pas se “krijimtaria e saj ishte mbytur nga ana e tij”.

“Ai ishte mbreti absolut në çdo gjë, unë isha si një kukull. Isha si një gjë, një vepër arti që duhej ruajtur dhe burgosur pa mendje dhe një jetë të vetën” , thoshte Hedy asokohe. Një nga gjërat që ajo nuk duronte fare te bashkëshorti ishin marrëdhëniet profesionale dhe miqësore të tij me Partinë Naziste.

4 vjet pas martesës së saj, ajo arriti të arratisej fillimisht në Paris dhe më pas në Londër. Nga karriera e saj e shkurtër në Evropën Qendrore kryesonte pjesëmarrja e saj në filmin pionier për kohën “Ecstasy”.

Të qenurit vetëm, pa të shoqin “toksik” dhe në një vend të largët si Amerika, vetëm sa i hapi rrugët e suksesit. Në SHBA ajo nënshkroi kontratën e saj të parë kinematografike, prej së cilës merrte 500 dollarë në javë (shumë e konsiderueshme për kohën).

Ishte Louis Mayer ai i cili e kuptoi talentin e saj dhe e ndihmoi të ngjiste shkallët në karrierë. Madje ai nisi ta promovonte atë si “gruan më të bukur në botë”. Për të, Lamarr ishte “Greta Garbo e re”.

Por nga ana tjetër, Lamarr e dashuronte teknologjinë dhe ishte tejet kreative. Piloti Howard Hughes, të cilin e takoi në një festë, i dha asaj grupin e parë të mjeteve, kështu që ajo filloi të punonte në ndërtime të ndryshme. Nëpërmjet Hughes, ajo vizitoi fabrikat e prodhimit të avionëve dhe filloi të përvetësonte njohuri të tjera të vlefshme që më vonë do të ishin shumë të dobishme për të. Hughes ishte i pari që kuptoi se Hedy ishte një “vajzë gjeni” kur ajo i tregoi një dizajn të sajin për ndërtimin e një krahu avioni.

Ndërsa karriera e saj vazhdoi me role të ndryshme nëpër filma, Lamarr nuk e la pas hobin e saj. Në vitin 1940 , sapo shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, ajo takoi muzikantin George Antheil, me të cilin ndante të njëjtën dashuri për inovacionin. Siç shprehej ai asokohe për mediat, Lamarr kurrë nuk e kishte dashur aq shumë Hollywood-in, sidomos në një periudhë kur bota po përjetonte luftën.

Kështu, Lamarr bashkë me Antheil bënë bashkë forcat dhe krijuan një sistem frekuencash përmes të cilit përdoruesit mund të zbulonin raketat e armikut dhe të parandalonin goditjet, diçka shumë e rëndësishme për ecurinë e një lufte, pasi Gjermania naziste bëri çdo përpjekje për të përjashtuar aleatët nga frekuencat e saj radio. Edhe pse mori patentë për këtë, ushtria amerikane nuk donte ta vinte në punë këtë zbulim të Lamarr. Fatkeqësisht, pavarësisht përpjekjeve të saj, patenta skadoi pas disa vitesh ndërkohë as ajo dhe as Antheil nuk kishin marrë asgjë nga shfrytëzimi i saj.

Ky zbulim gjenial i Lamarr qëndron pas WiFi, GPS dhe Bluetooth. Ishte baza për krijimin e të gjitha këtyre sistemeve të komunikimit, pa të cilat sot jeta jonë do të ishte krejtësisht ndryshe. Kontributi i saj nuk u njoh ashtu siç e meritonte sa ishte gjallë, megjithatë dashuria e botës për bukuroshen evropiane ishte një katalizator që të njihej kontributi i saj në përhapjen e inovacionit teknologjik, ndonëse shumë vonë.

E po të ndalemi tek jeta e saj personale, mbase do mërzitemi. Nga 6 martesa, ajo kishte 3 fëmijë, megjithatë ajo nuk kishte qenë kurrë e lumtur me asnjë nga bashkëshortët. Me djalin e saj të madh, James, ata nuk kishin folur për dekada, pasi ai ishte larguar nga shtëpia për një familje tjetër. Pas divorcit të saj përfundimtar në vitin 1965, Lamarr filloi të tërhiqej nga artet e shfaqjes deri në vitin 1981, kur u transferua përgjithmonë në Florida. Pak para se të ndërronte jetë prej një problem në zemër, ajo e kalonte kohën e saj kryesisht në ambiente të mbyllura, duke folur në telefon, madje edhe për 6 deri në 7 orë në ditë. Ngjan një fund i mjerë për një grua kaq të jashtëzakonshme! Megjithatë ajo do mbahet mend gjithmonë si e tillë