75 Mall Live Search
12:11 / E Diele, 06 Mars 2022 / MSH

Kush është mësuesi nga Peja i cili kishte punuar në sigurimin shtetëror jugosllav

Sherif Krasniqi, i cili me dekada ka shërbyer në sigurimin e brendshëm jugosllav, ishte i ftuari i parë i emisionit n’Demos, i cili ka folur për shërbimin shtetëror jugosllav në Kosovë gjatë viteve 1945-1999.

Krasniqi ka bërë të ditur se deri në vitet 60-të, struktura kombëtare e punëtorëve në organet e sigurimit ka qenë shumë e disfavorshme për shqiptarët, shkruan GazetaDemos.

Ai tha se në vitin 1963, derisa po punonte si mësimdhënës në vendlindjen e tij, në Baran të Pejës, i është ofruar të punojë si inspektor për luftimin e kriminalitetit të të miturve.

“Unë jam rekrutu si normalist, jam marrë duke iu dhënë mësim në vendlindjen time, në Baran, janë ardhë, më kanë thirrë me shku në sekretariat në Pejë, e kam dorëzu ditarin, dhe më është ofruar vendi i punës së inspektorit për luftimin e kriminalitetit të të miturve”, tha Krasniqi në emisionin n’Demos.

Tutje, ai potencoi se ka qenë i përgatitur se mund të gjykohet nga njerëzit, për shkak të punës së tij në sigurimin shtetëror.

 “E dija se populli mund të më gjykojë që jam njeri i sigurimit. Vendosa me u inkuadru në organet e punëve të brendshme, në Pejë, dhe aty fillova punën,  punova deri në 65-tën, në 65-tën më përjashtuan prej Lidhjes Komuniste dhe ma morën statusin e punëtorit të autorizuar zyrtar dhe më kthyen në kontabilitet për shkak se e kisha humbur revolen zyrtare, isha rrëzu prej motorit, dhe ky ishte si pretekst”, u shpreh ai.

Mes tjerash, Krasniqi bëri të ditur se para se të rekrutohej kishte kryer një kurs të operativistit të kriminalistikës, Shkollën e Lartë për Punë të Brendshme në Zagreb dhe Fakultetin e Sigurimit në Shkup.