75 Mall Live Search
15:30 / E Diele, 04 Janar 2026 / B XH

Kush është tani në krye të Venezuelës dhe çfarë pritet të ndodhë?

SHBA-ja ka sulmuar Venezuelën dhe ka kapur presidentin e saj, Nicolas Maduro, ndërsa Presidenti Donald Trump është zotuar se do ta “drejtojë vendin” deri në një tranzicion “të rregullt” të pushtetit.

Udhëheqësi i majtë i Venezuelës dhe bashkëshortja e tij u arrestuan në rezidencën e tyre dhe u transportuan me avion drejt SHBA-së, në kuadër të një operacioni të befasishëm të forcave speciale gjatë natës, që përfshiu edhe goditje ndaj bazave ushtarake.

Maduros dhe Zonjës e Parë, Cilia Flores, i janë ngritur akuza në New York për vepra penale që lidhen me armë dhe trafik droge.

Trump po ashtu premtoi se kompanitë amerikane të naftës do të hyjnë në Venezuelë dhe paralajmëroi se SHBA-ja do të ndërmarrë një sulm të dytë nëse do të jetë e nevojshme.

Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, tha se qeveria ishte gati “të mbrohej”, ndërsa sulmi ka shkaktuar reagime të forta.

Çfarë dimë për operacionin?

Ushtria amerikane bastisi rezidencën e Maduros në orën 02:01 sipas kohës lokale në Amerikë. Trump tha se forcat amerikane arritën t’i ndërpresin energjinë elektrike kryeqytetit Caracas, por mbetet e paqartë se si u realizua kjo.

Presidenti amerikan deklaroi se Maduro tentoi të hynte në një dhomë të sigurt të përforcuar me çelik dhe arriti të kalonte derën, por nuk ia doli ta mbyllte atë.

Maduro u kap nga Delta Force, njësia elitare e kundër-terrorizmit e ushtrisë amerikane, pasi një burim i CIA-s brenda qeverisë venezueliane ndihmoi SHBA-në të gjurmonte vendndodhjen e tij.

Trump shtoi se asnjë ushtar amerikan nuk u vra dhe se pati vetëm “pak” të plagosur. Për të futur ekipin e nxjerrjes në kryeqytet u përdorën mbi 150 mjete ajrore.

Spiunë, dronë dhe pishtarë: Si e kapi SHBA-ja Maduron

Maduro dhe bashkëshortja e tij u transportuan fillimisht në bordin e anijes luftarake USS Iwo Jima dhe më pas në një avion, i cili u ul në bazën ajrore Stewart Air National Guard në shtetin e New York-ut.

Më pas, të dy u dërguan në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit, një institucion federal në Brooklyn.

Zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se sulmet ajrore përreth Caracas-it u përdorën si mbulim për operacionin e nxjerrjes.

BBC Verify ka konfirmuar pesë lokacione që u goditën:

– Baza Ajrore “Generalissimo Francisco de Miranda”, e njohur si La Carlota

– Fuerte Tiuna, një nga objektet kryesore ushtarake në Caracas

– Porti La Guaira, lidhja kryesore e kryeqytetit me Detin e Karaibeve

– Aeroporti Higuerote, në lindje të Caracas-it

– Antenas El Volcan, kulla të telekomunikacionit

Kush është tani në krye të Venezuelës?

Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, pjesë e rrethit të ngushtë të Nicolás Maduro-s, është tashmë presidente e përkohshme pasi u betua nga Gjykata e Lartë e vendit.

Të shtunën, ajo kërkoi lirimin e Maduros, duke thënë se ai është “i vetmi president”.

Pavarësisht pretendimeve të Trump se SHBA-ja do ta drejtonte Venezuelën deri sa të ishte i mundur “një tranzicion i sigurt, i rregullt dhe i matur”, aleatët e Maduro-s vazhdojnë të mbajnë pushtetin.

Nuk është e qartë se si saktësisht SHBA-ja planifikon ta drejtojë Venezuelën apo kush do të përfshihet, por presidenti amerikan tha se do të ishte një përpjekje “në grup”.

Ai shtoi se Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte qenë në kontakt me Rodríguezin, e cila kishte shprehur gatishmërinë për të bërë “çfarëdo që SHBA-ja të kërkojë”, përcjell Reporteri.net.

Kjo bie ndesh me qëndrimin publik të Rodríguezit, e cila ka refuzuar kategorikisht idenë që Venezuela të shndërrohet në “një koloni të një perandorie”.

Trump tha gjithashtu se nuk kishte folur me lideren e opozitës venezueliane, María Corina Machado, të cilën e përshkroi si një figurë që nuk gëzon as mbështetje dhe as respekt të mjaftueshëm brenda Venezuelës për t’u bërë udhëheqëse e saj.

Machado kishte bërë më herët thirrje që Edmundo Gonzalez të merrte pushtetin. Ajo kishte mobilizuar mbështetje për González-in në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe rezultatet e votimit të publikuara nga partia e saj sugjerojnë se ai fitoi me një diferencë të thellë.

Çfarë pritet të ndodhë më pas në Venezuelë?

Ndërsa zyrtarët amerikanë kanë lënë të kuptohet se nuk planifikojnë ndërhyrje të mëtejshme ushtarake në Venezuelë, Trump deklaroi se “nuk kemi frikë nga trupa në terren”, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me mundësinë e dërgimit të forcave amerikane atje.

Trump tha gjithashtu se kompanitë amerikane të naftës do të hyjnë në vend për të rregulluar infrastrukturën “dhe për të filluar të gjenerojnë të ardhura për vendin”.

Ai u shpreh se “do të nxjerrim një sasi të jashtëzakonshme pasurie nga toka”, e cila, sipas tij, do t’u shkojë qytetarëve të Venezuelës dhe SHBA-së, duke shtuar: “do të rimbursohemi për gjithçka që kemi shpenzuar”.

Trump shtoi se SHBA-ja do të shesë naftë edhe për vende të tjera.

Qeveria e Venezuelës e përshkroi sulmin si një përpjekje për të përvetësuar “burimet strategjike të Venezuelës, veçanërisht naftën dhe mineralet”, me synimin për “të thyer me forcë pavarësinë politike të vendit”.

Venezuela zotëron rezervat e provuara më të mëdha të naftës në botë, por bëhet fjalë për të ashtuquajturën naftë “të rëndë dhe me përmbajtje të lartë squfuri”. Kjo lloj nafte është më e vështirë për t’u përpunuar, por përdoret për prodhimin e naftës dizel dhe asfaltit, ndërsa SHBA-ja zakonisht prodhon naftë “të lehtë dhe të pastër”, e cila përdoret për prodhimin e benzinës.

Për çfarë akuzohet Maduro?

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, tha se ndaj Maduros dhe bashkëshortes së tij është ngritur aktakuzë në Distriktin Jugor të New York-ut.

Ata akuzohen për komplot për kryerjen e narkoterrorizmit dhe importimin e kokainës, posedim të mitralozëve dhe pajisjeve shkatërruese, si dhe për komplot për posedimin e mitralozëve dhe pajisjeve shkatërruese kundër Shteteve të Bashkuara.

“Ata së shpejti do të përballen me gjithë peshën e drejtësisë amerikane, në tokë amerikane dhe në gjykata amerikane,” shkroi Bondi në platformën X.

Kush është Maduro dhe pse është kapur?

Maduro u bë i njohur nën udhëheqjen e presidentit të majtë Hugo Chávez dhe e pasoi atë si president në vitin 2013.

Ai ka pasur përplasje me Trump për ardhjen e qindra mijëra emigrantëve venezuelianë në SHBA dhe për trafikun e drogës drejt SHBA-së, veçanërisht fentanit dhe kokainës.

Ekspertët e kundër-narkotikëve thonë se Venezuela kryesisht shërben si një vend tranzit ku drogat e prodhuara diku tjetër kontrabandohen, ndërsa fentani prodhohet kryesisht në Meksikë dhe zakonisht hyn në SHBA përmes kufirit tokësor të përbashkët.

Trump ka shpallur dy banda droge venezueliane, Tren de Aragua dhe Cartel de los Soles, si Organizata të Huaja Terroriste (FTO) dhe ka pretenduar se e dyta udhëhiqej nga vetë Maduro.

Maduro ka mohuar me forcë se është lider karteli dhe ka akuzuar SHBA-në se po përdor “luftën kundër drogës” si pretekst për ta rrëzuar dhe për të marrë kontrollin mbi naftën e Venezuelës.

Në muajt e fundit, forcat amerikane kanë kryer më shumë se dy dozenë sulme në ujëra ndërkombëtare ndaj anijeve që ata pretendonin se përdoren për trafikun e drogës, duke vrarë mbi 100 persona.