13:36 / E Hënë, 09 Dhjetor 2019

Kush i kontrollon më shumë të dhënat, ku renditet Zvicra

Nga foto në pasaportë, te llogaria në bankë, rritja e mbledhjes së të dhënave biometrike është eksponenciale dhe ngjall shqetësime nëse do të përhapet.

Nga analiza e Comparitech-ut, vendet ku mbikëqyrja është më e përhapur janë: Kina, Malajzia, Pakistani, SHBA-ja, India, Indonezia, Filipinet e Tajvani.

Comparitech-u realizoi një analizë të hollësishme të mbledhjes, ruajtjes dhe përdorimit të të dhënave biometrike në 50 vende bote. Më poshtë janë disa nga rezultatet kryesore:

Shumë vende mbledhin të dhëna biometrike mbi udhëtarët, shpesh nëpërmjet vizave dhe kontrolleve në aeroporte.

Secili prej 50 vendeve të analizuara nga Comparitech-u i përdor të dhënat biometrike për llogaritë bankare, për shembull gjurmët digjitale për të pasur akses tek aplikacionet apo të konfirmuar identitetin brenda vetë bankës.

Pavarësisht se shumë vende i cilësojnë të dhënat biometrike të ndjeshme, rritja e tyre është pranuar gjerësisht.

Videokamerat për njohjen e fytyrës përdoren në shumë vende ose janë në fazë prove.

Shumë vende europiane kanë rezultate më të mira krahasuar me vendet joeuropiane, për shkak të rregullores së GDPR, që mbron përdorimin e biometrisë në vendet e punës.

Vendet më të mbikëqyrura

Në krye të klasifikimit është Kina (24 pikë nga 25), ndjekur nga Malajzia dhe Pakistani (21), SHBA (20) dhe India, Indonezia, Filipinet dhe Tajvani (19). Në veçanti, Kina ka një databazë biometrike kombëtare që përfshin edhe ADN-në. Përdorimi i videokamerave është mjaft i përhapur (100 instalime për 1000 banorë në metropole). Kina ka përfshirë edhe njohjen e fytyrës për çdo përdorues që blen një numër të ri telefoni. Kompanitë mund të monitorojnë edhe valët e trurit të punonjësve për të përmirësuar produktivitetin, transmeton Monitor.

Vendet më virtuoze, Irlanda dhe Portugalia

Me 11 pikë nga 25, Irlanda dhe Portugalia janë vendet më pak të mbikëqyrura. Ato ndiqen nga Qipro, Britania e Madhe, Rumania dhe Zvicra (12 pikë), përcjell albinfo.ch.

Irlanda ka vetëm një databazë të vogël ku përfshihen personat me precedentë kriminalë dhe ruan të dhënat biometrike në vendin e punës. Në Portugali, databazat biometrike janë të ndaluara.

Vendet evropiane të mbrojtura nga GDPR-ja

Në krye të renditjes së vendeve me një menaxhim më të mirë të të dhënave biometrike nuk shfaqet asnjë vend evropian. Në vend të parë është Estonia (18/25). Këto rezultate të ulëta i atribuohen General Data Protection Regulation (GDPR) dhe rregullimit të saj në fushën biometrike, veçanërisht në vendin e punës.

Të gjithë vendet evropiane kanë një rezultat të barabartë ose më të ulët se tre në përdorimin e kamerave CCTV. Disa vende e zbatojnë njohjen e fytyrës vetëm në fusha të caktuara dhe për ngjarje specifike. Në vitin 2020 do të zbatohen në Europë Entry/Exit System, si pjesë e Traktatit të Schengen. Dhe në këtë mënyrë do të krijohet një databazë e gjerë biometrike për 28 vende që do të kenë akses në të.