Kush i përdori prindërit e vajzës e cila u keqtrajtua seksualisht në Shqipëri?
Dalja në ERTV e prindërve të vajzës së dhunuar seksualisht në Kavajë krah të ministres Elisa Spiropali ka shkaktuar mjaft reagime. Në një qëndrim të Partisë Demokratike me anë të deputetes Albana Vokshi i kërkohet fillimisht Ramës dhe më pas AKEP të heqë videon online pasi shkel rëndë etikën për mbrojtjen e të miturve.
“Zbulojnë identitetin e vajzës së vogël, gjë që s’e ka bërë asnjë media, vetëm për të bërë propagandë me viktimën e një sistemi që përdhunuesit i ka promovuar dhe u ka dhënë pushtet. Elisa Spiropali sot ka shkelur jo vetëm kodin moral të shqiptarit, por edhe kodin penal, që nuk lejon zbulimin dhe publikimin e identitetit të fëmijës së mitur në asnjë rrethanë. Premtimet për bursa, duke menduar që çdo gjë mund ta blejnë, është një sjellje me mendësi kriminale, si kriminelët që kërkojnë të blejnë heshtjen e viktimave të tyre.
Premtimi, bursë studimi është si blerja e heshtjes së viktimave. Si nënë, si grua, por edhe si kryetare e komisionit të arsimit, kërkoj shkarkimin e menjëhershëm të Elisa Spiropalit. Edi Ramës i kërkoj ta heqë menjëherë videon nga faqja e tij në facebook. Nëse ai nuk e bën këtë brenda 1 ore, AKEP duhet të bllokojë Facebookun e Edi Ramës” – shkruan ndër të tjera Vokshi.
Ka reaguar Edi Rama që krenohet me faktin që në shtepinë e vajzës ka shkuar një përfaqësues i qeverisë dhe jo një nga opozita.
“Po tani çfarë keni që lehni apo ju’a kemi fajin ne pse njerëzit besojnë tek ne e jo tek ju, hiena të politikës e të medias? Po mos të ishin vrasësit, përdhunuesit, grabitësit, krimet e fatkeqësitë, ju s’do ekzistonit, se s’keni hiç tjetër për t’u dhënë njerëzve veç helmit e vrerit”, – shkruan Rama.
E ka përforcuar me një postim në Twitter edhe këshilltari i tij Endri Fuga.
“Ata politikane dhe media qe shfaqen sot gjasme te indinjuar per viziten e @elisaspiropali tek familjaret e vajzes ne Kavaje jane pikerisht arsyeja pse prinderit e vajzes vendosen te dilnin hapur me ate mesazh te drejtperdrejte ne ERTV” – shkruan Fuga.