Kush ishte dhe për çfarë akuzohej Agron Matjani, ish-prokurori, që u gjet i vdekur
Ish-prokurori Agron Matjani, është gjetur i vdekur të enjten në banesën e tij në Prizren, ka konfirmuar për IndeksOnlinen zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit Shaban Osmanollaj.
Por kush ishte ky ish-prokuror?
Agron Matjani ka ushtruar funksionin e Prokurorit të Shtetit në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Prokuroi i krimeve të rënda në Prokurorinë e Gjakovës, Agron Matjani, në janar të vitit 2019 ishte suspenduar nga ky funksion pasi që dyshohej se kishte kërcënuar kunatën (bashkëshorten e vëllait).
Rasti ishte raportuar se kishte ndodhur në javën e parë të nëntorit 2018 në Prizren, ditën kur ishte mbajtur një seancë gjyqësore në të cilën prokurori Matjani e kishte përfaqësuar vëllanë e tij, i cili ishte palë në këtë çështje.
Nga ana e tij, Agron Matjani, në muajin nëntor i kishte mohuar akuzat për kanosje ndaj kunatës së tij.
“Nuk ka asgjë të vërtetë dhe të vërtetuar nga ai rast. Personi që e ka paraqitur rastin vetëm ka shpifur dhe ka dashur që të dëmtonte integritetin dhe personalitetin tim”, pati deklaruar prokurori Matjani.
Prokuroria Speciale e Kosovës një muaj më parë kishte ngritur aktakuzë në Gjykatën e Prishtinës në Departamentin Special.
Ai akuzohej nga prokuroria se në disa raste penale, në cilësinë e prokurorit, në mënyrë drastike i ka zbutur kualifikimet e veprave penale ndaj të akuzuarve është deklaruar rreth fajësisë së tij para gjykatës së Prishtinës.
“Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër prokurorit A. M., tashmë i suspenduar për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, pasi që ai në cilësinë e personit zyrtar – Prokuror i Shtetit në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, me dashje e ka keqpërdorur pozitën dhe detyrat e prokurorit”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Çka kishte deklaruar Suzana Matjani (kunata e Agron Matjanit)
Suzana Matjani, tashmë ish-kunata e Agron Matjanit, pas ndarjes nga vëllai i ish- kryeprokurorit, kishte vendosur që të kërkonte drejtësi në gjykatë për të marrë pjesën e pasurisë që i takonte nga martesa me Ali Matjanin.
Si pengesë të madhe, Suzana Matjani e shihte kunatin e saj, tashmë të ndjerin Agron Matjani. Sipas Suzanës Agron Matjani e ka akuzuar ish-kunatën se po shpifte.
Madje, Suzana e kishte denoncuar për kanosje prokurorin Matjani, i cili kishte përfaqësuar në një seancë vëllanë e vet.